18-05-2024

Sipas ministrisë varianti i autostradës së Dukagjinit kah Drini i Bardhë është më i përshtatshmi

Ministria e Infrastrukturës ka dërguar një komunikatë për media, ku ka thënë se për shkak të debateve të shumta dhe keqinformimit që po shpërndahet nga një grup individësh, “po ju japim detaje rreth përzgjedhjes së variantit final të autostradës së Dukagjinit”.

Fillimisht deri tek përzgjedhja e variantit nga komiteti ndërministror për këtë projekt, MI thotë se janë mbajtur debate publike në të cilat kanë qenë të pranishëm Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj, kompania projektuese, njësiti mbikëqyrës e drejtues komunal.

“Po i referohemi pikërisht komunës së Rahovecit tek të cilët nuk kemi hasur një kundërshtim kaq të zëshëm që po paraqitet në medie tani për variantin e përzgjedhur”, deklaron kjo ministri.

Për ri-informim të qytetarëve të kësaj komune dhe informim të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, MI ka dhënë detajet se thonë se varianti përgjatë lumit Drini i Bardhë është më i favorshëm për Rahovecin.

Gjatë hartimit të varianteve ideore, sipas MI-së, përveç kritereve teknike që dalin nga detyra projektuese, janë marrë parasysh edhe disa kritere dhe analiza profesionale si shpronësimi (janë marrë për bazë të shpronësohen sa më pak toka bujqësore), faktori ekonomik (të jetë me kosto ekonomikisht më i favorshëm), topografia e terrenit (janë marrë parasysh gërmimet, mbushjet, urat, tunelet, nënkalime, mbikalimet, viadukte), gjeologjia dhe hidrologjia (është marrë parasysh stabiliteti i truallit dhe trajtimi i rrjedhjes ujore) dhe faktori ekologjik (ndikimet minimale në mjedis, trajtimi i ujërave sipërfaqësore nga rruga flora dhe fauna).

Mbi bazën e këtyre analizave në konsultim me ekspertët relevantë, Ministria e Infrastrukturës thotë se është përzgjedhur varianti paralel me lumin Drini i Bardhë për të vazhduar me hartimin e projektit detal, si rezultat i këtyre përparësive krahasuar me variantet tjera, si rregullimi i shtratit të lumit Drini i Bardhë, parandalimi i degradimit të lumit Drini i Bardhë, shpronësim minimal i tokave bujqësore dhe tokave private, aksi i autostradës kalon më shumë se 70% mbi sipërfaqe të degraduar të tokave bujqësore rreth lumit, nuk do të ketë as një parcelë të ndarë në dy pjesë, dhe krahasimet tjera mes dy varianteve (Variant 1 dhe Varianti kah lumi Drini i Bardhë).

Ministria ka ofruar edhe të dhënat krahasuese të përafërta mes “Varianti 1” dhe “Variantit kah lumi Drini i Bardhë”, siç mund t’i shihni më poshtë:

Image

“Krejt në fund, ritheksojmë se kostoja e ndërtimit të Autostradës së Dukagjinit do të jetë rreth 600 milionë euro, ndërsa do të shpronësohen rreth 623 hektarë, prej të cilave jo të gjitha janë private. Për këto të fundit, vlerësimin nuk e bën Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit”, ka thënë kjo ministri në njoftimin për media.

Ndërkaq, ministria ka kërkuar që për të gjithë ata që kërkojnë informata rreth këtij projekti t’i drejtohen MIT-së dhe “jo të bien pre e keqinformimeve mbi bazën e politikave ditore”./Koha.net/

Asnjë koment

Comments are closed.