27-07-2024

Sot hapet parkingu më i madh në zonën qendrore të Prizrenit, për 110 vetura

Shoferët e Prizrenit dhe ata që vijnë si mysafirë,  prej sot nuk do të jenë në siklet sikur në parë, për të gjetur një vendparkim në zonën qendrore të qytetit, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Në hapësirën prapa ndërtesës së Kuvendit Komunal, të njohur si “Shtëpia e Bardhë” do të hapet parkingu më i madh në këtë qytet, që edhe pritet ta përmbush një pjesë të nevojave të shoferëve, që frekuentojnë zonën qendrore, përfshirë edhe qendrën tregtare “Qylhan”.

Në këtë rast bëhet fjalë për hapësirë publike, ndërsa kapaciteti i tij është 110 vetura. Siç bëhet e ditur edhe në tabelën e vendosur, parkimi i veturave deri në 3 orë do të jetë falas për të gjithë qytetarët, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Hapja e parkingut është paraparë të bëhet sot në orën 10:00,  nga Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka. “Sigurimi i parkingut në këtë zonë do të ndikojë në ngjalljen e Çarshisë ku veprojnë mbi 400 shitore të vogla, si dhe zhvillimit të turizmit, pasi që ky lokacion është vetëm 350 metra larg nga qendra e qytetit”, ka deklaruar ai ditë më parë.

Krijimi i parkingjeve të reja, sidomos këtyre publike në qytet është një nevojë urgjente, për shkak të fluksit të veturave, sidomos gjatë muajve të verës kur kthehen mërgimtarët dhe fillon edhe sezoni i dasmave. Gjatë kësaj kohe në Prizren vijnë edhe shumë mysafirë nga vende tjera,  për të blerë ari dhe veshje të ceremonive festive./gazetaeprizrenit.net/

Fotografia e Mytaher Haskuka

Asnjë koment

Comments are closed.