Spitali i Ferizajt jep detaje: Dera e tualetit u hap pas presionit nga stafi mjekësor, foshnja u gjet në kosh të bërllokut
Rasti ka ndodhur më 5 maj 2026 rreth orës 19:45, në rrugën “Ramadan Rexhepi” në Ferizaj.
Sipas informacioneve, vajza e re F.M. rreth 20 vjeçare dyshohet se ka lindur foshnjën brenda tualetit të emergjencës, ndërsa foshnja është gjetur në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.
Burimet bëjnë të ditur se stafi mjekësor ka intervenuar menjëherë për t’i ofruar ndihmën e parë foshnjës, por gjendja e saj ka qenë kritike që nga fillimi.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, foshnja nuk ka arritur të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë rreth orës 01:00 pas mesnate, më 6 maj 2026.
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka nisur hetimin për një rast që e ka cilësuar si “vrasje e foshnjës gjatë lindjes” që ka ndodhur në Emergjencën e Ferizajt të hënën në mbrëmje.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka iniciuar rast në drejtim të veprës së njëjtë, “vrasje e foshnjës gjatë lindjes”.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e gjitha rrethanave të rastit në fjalë”, njoftoi Prokuroria.
E, QKUK-ja ka dhënë detaje shtesë për rastin.
“Pacientja është paraqitur në spital me ankesa për obstipacion (kapsllëk) dhe, në një moment, ka hyrë në tualet duke e mbyllur derën. Pas insistimit dhe presionit nga stafi mjekësor, të cilët kishin dëgjuar zërin e një foshnjeje, dera është hapur. Nëna kishte prerë kordonin umbilikal të foshnjës dhe e kishte hedhur atë në koshin e mbeturinave, në gjendje të rëndë dhe hipotermike”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.
QKUK ka njoftuar tutje se menjëherë janë ndërmarrë masat emergjente për trajtimin e nënës dhe foshnjës, të cilat janë transferuar në repartet e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë, dhe se ekipi multidisiplinar, me përfshirjen edhe të anesteziologut, ka filluar menjëherë të gjitha procedurat reanimatore.
“Foshnja është pranuar në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme reanimatore nga ekipi multidisiplinar i spitalit. Pavarësisht përpjekjeve maksimale dhe trajtimit intensiv nga personeli mjekësor, foshnja ka ndërruar jetë”.
Në procedurë janë përfshirë edhe inspektorët shëndetësorë dhe ekspertiza mjeko-ligjore.

