Suharekë: Muharremaj shprehet i habitur me punën e grave
Njëzet fermerë, nga sektorë të ndryshëm, disa prej tyre femra kanë përfituar nga 2.5 mijë deri në 10 mijë euro, varësisht nga aplikimi.
Projekti “Iniciativa për fermerë të vegjël në Komunën e Suharekës”, që është financuar nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA), në partneritet me Komunën e Suharekës, që zbatohet nga Fondi për Zhvillim Lokal, sot ka përzgjedhur 20 përfitues.
Gjatë nënshkrimit të kontratave, kryetari i Komunës Bali Muharremaj, derisa ka uruar përfituesit ka thënë se ata do ta kenë përkrahjen e madhe institucionale. “ Edhe pa qenë kryetar, kam vizituar disa fermerë dhe po më vjen shumë mirë që po shoh shumë femra, të cilat po merren me këtë punë. Unë jam befasuar me punën që po bëjnë gratë në Komunën tonë”, citohet ai, në njoftimin e Komunës.
Kryetari më pas ka falënderuar ADA-në që po bënë punë shumë të mirë, më pas ai ka bërë të ditur se mbi 10 milion euro do të investohen në Komunën e Suharekës këtë vit jashtë buxhetit të Komunës. “Kjo është hera e parë që Komuna jonë ka siguruar mjete kaq të mëdha jashtë buxhetit komunal”, ka vlerësuar ai.