15-02-2025

Superliga nis sot me dy ndeshje, Suhareka pret Dukagjinin

Java e 20-të e Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll fillon sot me dy ndeshje tejet interesante në program.

Vëmendja kryesore është padyshim në kryeqytet, ku Prishtina e mirëpret në “Fadil Vokrri” skuadrën lidere nga Gjilani, Drita.

Prishtinasit e nisën me barazim stinorin pranveror, duke ndarë pikët me Suharekën në barazimin 2-2 në kryeqytet. Ndërkohë, Drita e nisi stinorin me fitore, duke mposhtur pastër në shtëpi skuadrën e Malishevës me rezultat 2-0, shkruan Sinjali Sporti.

Kryeqyetasit ndodhen aktualisht në pozitën e katërt me 28 pikë, ndërsa Drita ruan lidershipin me 7 pikë pastër nga përcjellësi i dytë, me 43 pikë në total.

Kjo përballje zhvillohet nga ora 17:00, nën ndriçimin e reflektorëve.

Ndërkohë, dueli tjetër interesant është ai mes Suharekës dhe Dukagjinit.

Suhareka vjen pas një barazimi 2-2 si mysafir ndaj Prishtinës, kurse Dukagjini u ndëshkua në momentet e fundit ndaj Ballkanit, duke u mposhtur minimalisht javën që shkoi.

Suharekasit ndodhen në pozitën e pestë me 26 pikë, kurse Dukagjini pozicionohet në vendin e 8-të me 21 pikë.

Kjo sfidë zhvillohet nga ora 13:00 në “Stadiumin e Qytetit” në Suharekë.

Asnjë koment

Comments are closed.