26-04-2024

Supremja e kthen në rivendosje rastin ndaj drejtorit të shkollës në Malishevë që ishte dënuar për marrje ryshfeti

Drejtori i shkollës së mesme në Malishevë “Hamdi Berisha”, Izet Hoti do të gjykohet përsëri për akuzën se kishte marrë ryshfet për organizimin e mbrëmjes së maturës.

Kjo pasi Gjykata Supreme e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit me të cilin, kjo e fundit Hotit ia kishte vërtetuar dënimin me burg dhe gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai akuzohej se kishte kërkuar ryshfet në shumë prej 1,500 euro nga menaxheri i restorant “BIMI-2”, për organizimin e mbrëmjes së maturës.

Lidhur me këtë akuzë, Gjykata Themelore në Gjakovë, më 26 prill 2019, të akuzuarin Hoti, e kishte shpallur fajtor, duke e dënuar me tetë muaj burg efektiv dhe 1000 euro gjobë, për marrje të ryshfetit, dënim të cilin e kishte vërtetuar edhe Apeli më 9 korrik 2019.

Kundër këtyre aktgjykimeve, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë kishte paraqitur, mbrojtësi i Hotit, avokati Emrush Kastrati, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljes së ligjit penal.

Mbrojtja kishte propozuar që kërkesa të aprovohet dhe aktgjykimet e kundërshtuara të anulohen ashtu që i mbrojturi i tij, në mungesë të provave të lirohet nga akuza apo që çështja të kthehet në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë.

Kërkesën në fjalë e ka aprovuar si të bazuar Gjykata e Supreme, e cila këtë lëndë e ka kthyer në rivendosje në Gjykatën e Apelit.

Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, konkludimi i gjykatës së shkallës së dytë është në kundërshtim jo vetëm me arsyetimin e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë por edhe me shkresat e lëndës sepse dëshmitari Gëzim Kastrati,  sipas Supremes, në kohën kur ngarkohet i akuzuari ta ketë kryer veprën penale përveç që ishte menaxher i restorantit “BIMI-2” ishte edhe zyrtar policor dhe se ketë rast e kishte paraqitur në njësinë e hetimeve në Stacionin Policor të Gjakovë duke përpiluar raport zyrtar.

“Ketë raport e kishte pranuar policia me 24.04.2018 dhe sipas këtij raporti të nënshkruar nga dëshmitari i dënuari me 16.04.2018 e kishte kontaktuar në telefon dhe kishte kërkuar takim me të. Rreth orës 11:00 i dënuari kishte shkuar në restorantin e dëshmitarit dhe e kishte informuar se mbrëmja e maturës do të mbahej me 12 maj duke e përzgjedhur restorantin e tij, mirëpo fillimisht kishte kërkuar nga dëshmitari që të merren vesh një herë e përgjithmonë në kuptim që çdo vit t’i sjellin maturantët në restorantin e tij derisa ai ishte drejtor i shkollës. I dënuari kishte kërkuar nga dëshmitari që t’ia jap atij 1500 € për t’i sjell nxënësit në restorantin e tij përndryshe do t’i qonte në Rahovec në restorantin “E.P.”.”,thuhet në vendimin e Supremes.

Sipas Supremes, dëshmitari Kastrati në hetime dhe në shqyrtimin gjyqësor e ndryshon dëshminë duke deklaruar se i dënuari ia ka kërkuar hua 1,500 € dhe se ka pasur dyshim se nuk po ia kërkon hua por po i kërkon ryshfet. Por, sipas Supremes, edhe në hetime edhe në shqyrtimin gjyqësor, dëshmitari ka theksuar se oferta për karrige për mbrëmje të maturës ka qenë 11 €, 12 € dhe 13 € dhe i akuzuari i kishte thënë se nëse pranon ofertën 13€ e dua një bakshish, dhe se diferencën prej dy euro e ka kërkuar bakshish.

“Duke pasur parasysh dëshminë e dëshmitarit Gëzim Kastrati. në të gjitha fazat e procedurës për ketë gjykatë nuk është e qartë së në çka gjykata e shkallës së dytë e ka mbështet konkludimin e saj se i dënuari i ka kërkuar para hua të dënuarit dhe se deklarata e dëshmitarit përputhet me mbrojtjen e të dënuarit të dhënë polici në prani të mbrojtësit ( i dënuari kur është dëgjuar në polici nuk ka pas mbrojtës).”, thuhet në vendimin e Supremes.

Po ashtu, Gjykata Supreme thekson në vendimin e saj, se nga konkludimi i gjykatës së shkallës së dytë del se i dënuari fillimisht nga dëshmitari ka kërkuar hua, e pastaj në takimin që këta kishin në parkingun e restorantit në veturën e akuzuarit kishte kërkuar ngritjen e çmimit nga çmimi real për karrige 11 € në 13 € për përfitim personal, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Nëse i akuzuari ka kërkuar nga dëshmitari vetëm para hua, atëherë sipas Supremes, në veprimet e tij nuk konsumohet vepra penale e marrjes së ryshfetit, kurse është çështje tjetër nëse i dënuari në këmbim të organizimit të mbrëmjes së maturës në restorantin e tij i ka kërkuar para – hua si përfitim.

“Këto, kundërthënie dhe paqartësi janë aq të theksuara në aktgjykimin e shkallës së dytë sa që e bëjnë atë të paqartë, konfuz dhe plotësisht të pakuptueshëm në raport me veprimet inkriminuese të të dënuarit të përshkruara në dispozitivin e aktgjykimit të shkallës së parë dhe me akuzë, e që paraqesin shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, nga neni 384 par.1 nënpar.1.12 të KPP për çka aktgjykimi i shkallës së dytë u dashtë të anulohet pa u lëshuar në vlerësimin e pretendimeve tjera në kërkesë të cilat gjykata e shkallës së dytë duhet t’i marrë parasysh dhe t’i vlerësojë me rastin e rigjykimit dhe pastaj të marrë një vendim të drejtë në ketë çështje juridiko penale”, përfundon aktgjykimi i Gjykatës Supreme.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 24 shtator 2018, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Izet Hoti, akuzohet se më 2 maj 2018, si drejtor i shkollës së mesme të lartë “Hamdi Berisha” në Malishevë, ka kërkuar ryshfet në shumë prej 1.500 euro nga menaxheri i restorant “BIMI-2”, Gëzim Kastrati, për organizimin e mbrëmjes së maturës në po këtë restorant.

Në aktakuzë thuhet se oferta reale për karrige ka qenë 11 euro, mirëpo i pandehuri ka kërkuar nga menaxheri që ta ngritë shumën në 13 euro, ashtu që shumën e mbetur ta merr për vete, e që një gjë e tillë është provuar në bazë të dëgjimeve telefonike të kryera nga ana e policisë, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë.  /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.