Susuri paralajmëron ankesë  në rast se Haskuka këmbëngul në anulimin e konkursit për drejtorë

Drejtori komunal  i arsimit në Prizren, Skënder Susuri,  derisa mbron qëndrimin e tij rreth procesit të përzgjedhjes së drejtorëve të disa shkollave, ka thënë se pret zgjidhjen e problemit pas anulimit të konkursit gjatë një takimi me kryetarin Haskuka.

 

Ai ka thënë për Tv Prizrenin se në rast të anulimit të konkursit, do të ndërmarrë hapa ligjor. “Garantoj për ecurinë e procesit në aspektin e respektimit të procedurave të konkursit, kurse poentimi i kandidatëve është çështje e komisionit të emëruar nga vet kryetari Haskuka”, citohet të ketë thënë ai.

 

Susuri, gjithashtu thotë se raporti i disa individëve nga shoqëria civile për konkursin në fjalë, është i njëanshëm, pasi që në të nuk jepen argumente për shkelje të procedurave, siç pretendojnë ata.

 

Ai më tej ka thënë se akuzat e disa zyrtarëve të partive të ndryshme politike për përzgjedhje partiake të drejtorëve, kanë të bëjnë me atë se, të afërmit e tyre nuk janë përzgjedhur në këtë konkurs, dhe nëse vazhdohet me një trend të tillë, ai do t’i bëj publik emrat e zyrtarëve dhe të afërmve të tyre.

 

Ai thotë më tej se shumë shpejt do të ketë një takim me kryetarin e komunës, Haskuka, për të bërë krahasimin e raporteve, takim ky në të cilin ai shprehet optimist se do të gjendet gjuhë e përbashkët për zgjidhjen e çështjes.

 

“Zvarritja e këtij procesi do të sjellë shumë sfida të reja në procesin arsimor nga viti i ri shkollor” i ka thënë ai televizionit lokal të Prizrenit, duke shtuar se nëse vijon të mbetet në fuqi vendimi i Haskukës për anulim të konkursit, ai do t’i drejtohet organeve kompetente për të ankimuar vendimin në fjalë.