13-05-2024

Të akuzuarit për kanosjen e zyrtarëve të ATK-së kërkojnë të hedhet aktakuza, prokuroria kundërshton

Të akuzuar se në prill të vitit 2014, kishin kanosur disa zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), të akuzuarit Valdet Dula dhe Fadil Dula, të mërkurën kërkuan nga gjykata që të hedhë poshtë aktakuzën ndaj tyre.

Një kërkesë të tillë, të akuzuarit për kanosje, e bënë në shqyrtimin e dytë që u mbajt për këtë rast të mërkurën,  në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega Rahovec, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fjalën e tij, i akuzuari Valdet Dula tha se është e vërtetë që në ditën kritike, ishte i revoltuar kur ka ndodhur ngjarja, por siç tha ai, nuk është e vërtetë që i ka kanosur të dëmtuarit, andaj për këtë arsye i propozoi gjykatës që në mungesë të provave ta hedhë poshtë aktakuzën ndaj tij.

Edhe i akuzuari tjetër, Fadil Dula, tha se nuk e ndjen vetën fajtor, pasi siç tha ai, punëtorët e ATK-së, në ditën kritike kishin ardhur në mënyrë të dhunshme për t’ia marr kolateralin.

“Punëtorët e ATK-së kanë ardhur në mënyrë të dhunshme për ta marr kolateralin si dhe më kanë bllokuar tërë pasurinë, andaj në një situatë të tillë ndoshta kam reaguar në mënyrë të ashpër por nuk ka qenë me qëllim për ti frikësuar ata”, tha i akuzuari Dula.

Kërkesat e të akuzuarve për hedhje të aktakuzës i kundërshtoi prokurori i rastit, Bajram Kryeziu, i cili tha se të akuzuarit kanë kryer veprën penale në fjalë dhe për këtë, prokurori tha se  ka prova të mjaftueshme me të cilat do të vërtetohet fajësia e të akuzuarve.

Në lidhje me kërkesat e të akuzuarve dhe përgjigjen e prokurorit, gjykatësi i çështjes, Ilir Rashkaj tha se do të vendos me aktvendim të veçantë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 14 prill 2015, ka ngritur aktakuzë ndaj Valdet e Fadil Dula, për veprën penale kanosje të kryer në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit, më 24 prill 2014, rreth ores 15:00, në Rahovec, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit tek të dëmtuarit, zyrtarë të ATK-së,  derisa këta të fundit  me asistim të policisë shkojnë për të konfiskuar për borxh dy vinça te firma “FAMA D” në Rahovec, pronë e Murtez e Fadil Dula, pikërisht në momentin kur mbërrin merimanga për bartje të vinçave të akuzuarit fillimisht fillojnë ti ofendojnë të dëmtuarit.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit u ishin drejtuar të dëmtarëve, me fjalët “ju jeni hajna e po na i vjedhni mjetet, e nuk keni të drejt” dhe më pas vazhdojnë ti kanosin seriozisht të dëmtuarit me fjalët “po thoni se ka vrasje e duhet të vritet dikush, e tjera herave nuk guxoni të vini në Rahovec se kena me u vra”, me çka, sipas aktakuzës, të dëmtuarve Curr Gjonbalaj, Sedat Veselaj dhe Shefki Vranovci u shkaktojnë ankth dhe frikë. //Betimipërdrejtësi

.

Asnjë koment

Comments are closed.