20-09-2024

Të arrestuarit për fajde, Policia publikon pamjet nga aksioni i sotëm i FIT


Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Pejë ka zhvilluar një aksion kundër fajdes, që rezultoi me arrestimin e një personi të përfshirë në veprimtari të kundërligjshme. I dyshuari u kap sot paradite nga Njësia Speciale Intervenuese (FIT), raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali ka mësuar se personi i arrestuar është Visar Haxhiaj – ndaj të cilit tashmë është lëshuar masa e ndalimit policor.

Por, ky nuk ka qenë i arrestuari i vetëm, Policia ka intervenuar edhe në një rast tjetër që lidhet me fajde dhe ka kapur edhe katër persona të tjerë.

Pamjet nga aksioni që është zhvilluar i ka publikuar Policia e Kosovës.

Lajmin fillimisht për arrestimin e një personi ka konfirmuar për Gazetën Sinjali edhe zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili bëri të ditur se pas veprimeve të ndërmarra, i dyshuari është arrestuar dhe ndaluar.

“Prokurori i shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për hetimin e Krimit të Organizuar dhe sektorin e hetimeve rajonale të Policisë së Pejës, pas veprimeve të caktuara hetimore, ka arrestuar dhe ndaluar një person të dyshuar për veprën penale “Fajde”.

Pas arrestimit, i dyshuari do intervistohet nga hetuesit policor, kurse prokurori i shtetit ka urdhëruar që i pandehuri të ndalohet për 48 orë.

Brenda afatit ligjor, prokurori i shtetit do t’i ndërmarrë veprimet ligjore për sigurimin e prezencës se të pandehurit në procedurë penale.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.