26-04-2024

Të papunët shëtitën për 1 Maj në Prizren

Ndonëse shifrat flasin për shumë të papunë, shënimi i Ditës së Punës, sot në Prizren është karakterizuar me shëtitje masive në qendër të qytetit, frekuentim të restoranteve për ata që kanë mundësi apo edhe shëtitje në natyrë.

 

1 Maji i njohur si dita e punëtorëve, pothuajse e ka humbur simbolikën dhe është kthyer në një ditë pushimi, kryesisht për punonjësit në sektorin publik, pasi në atë privat, pjesa më e madhe, sot kanë punuar.

Në këtë ditë në qendër të Prizrenit, në qendrat tregtare, si dhe në mjediset hoteliere pat mysafirë të shumtë.

 

Në Qendrën rajonale për Punësim në Prizren, si të papunë zyrtarisht janë të paraqitur 20. 829 persona. Prej tyre 8.840 janë aktiv, që lajmërohen për çdo muaj. Numri i të papunëve është edhe më i madh pasi disa persona, fare nuk lajmërohen në këto zyra, pasi nuk shpresojnë, që përmes kësaj forme të sigurojnë ndonjë vend pune.

 

Pjesën me të madhe të punëkërkuesve e përbëjnë të rinjtë, gjegjësisht grup mosha nga 25 deri në 39 vjeç, apo rreth 40 për qind e numrit të regjistruar. Në mesin e punëkërkuesve ka persona edhe me kualifikim superior.

Në aspektin ekonomik, prizrenasit ndërkaq, vitet po i shohin gjithnjë e më të vështira.

 

Pos prizrenasve, banorëve të rrethinës dhe atyre nga mbarë vendi, në këtë qytet ka pasur vizitorë nga Shqipëria. Ata thanë se kanë ardhur, për ta kaluar këtu 1 Majin, pasi Prizreni u pëlqen shumë, jo vetëm atyre, por edhe fëmijëve, për pamjen si dhe qoftet e shijshme.

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.