Thaçi: Ukshin Hoti mbetet filozofi më politik i lirisë së Kosovës

Ai përmes një shkrimi në Facebook ka shkruar se profesori Ukshin Hoti i përket intelektualëve të profilit të lartë, një mendimtar i guximshëm që e parashtroi me kohë idenë se vetëm lufta e armatosur e sjell lirinë.

“Që nga takimi im i parë si student me profesorin Ukshin Hoti, që nga leximi i rreshtave të parë të shkrimeve të tij, kam krijuar një përshtypje që jeton deri në ditët e sotme, deri tash kur e kujtoj me shumë respekt dhe krenari. Profesori Ukshin Hoti i përket intelektualëve të profilit të lartë, një mendimtar i guximshëm që e parashtroi me kohë idenë se vetëm lufta e armatosur e sjell lirinë”, thotë Thaçi.

Presidenti thekson se profesori Ukshin Hoti, si askush më mirë se ai, u vu në mbrojtje teorike të kërkesës qendrore të vitit 1981 për Republikën e Kosovës.

“Me kategorinë filozofike të zhvillimit, ai e justifikoi gjerësisht faktin që autonomia e Kosovës ishte e pamjaftueshme për shqiptarët e Kosovës, publikisht para strukturave zyrtare jugosllave”, shprehet Thaçi.

Më tej thotë se Hoti i përket brezit të intelektualëve të burgosur për shkak të bindjeve politike dhe qëndrimeve atdhetare, duke kaluar vite të tëra në burg, e veçanërisht duke përjetuar persekutime çnjerëzore pas burgosjes së dytë.

“Me radhitjen atdhetare, me vijën politike që ndoqi, me edukimin perëndimor, me trashëgiminë intelektuale shkrimore, profesori Ukshin Hoti mbetet filozofi më politik i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar Thaçi.