Kryetari i klubit “Bashkimi”, Shaqir Totaj u shpreh optimistë për fitoren e sotme ndaj “Sigal Prishtinës”, derisa fton adhuruesit e basketbollit dhe prizrenasit, që të jenë në palestër për të përkrahur të djelmoshat prizrenas, në rrugëtimin drejt titullit të parë të kampionit.
Sonte, në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, në orën 20:30, zhvillohet ndeshja e dytë e serisë finale të plejofit të IP Superligës së Kosovës në Basketboll.
“Pres fitore e cila do të na hap rrugën drejt titullit të kampionit, për vetëm një hap, të cilin kam shumë besim se sonte do ta hedhim”, ka thënë Totaj për portalin “Gazeta e Prizrenit.net”.
Ai ka kujtuar se gjatë lojës dhe pas fitores së parë në Prishtinë është dëshmuar se “Sigal Prishtina” është ekip me përvojë, që assesi nuk duhet nënçmuar.
Duke përshkruar angazhimet e klubit, Totaj ndër tjera ka thënë se pas një sezone me rënie e ngritje me përkushtimin maksimal të stafit, KB Bashkimi arriti të jetë finalist në tri fronte: Kupën e Kosovës, Ligën Ballkanike, ku humbën në finale, dhe tani në në Play-off të Superligës së Kosovës.
Ndeshjen e parë të zhvilluar fundjavën e shkuar në Prishtinë e fitoi Bashkimi me rezultatin 84:81 për të udhëhequr 1:0 në serinë finale të këtij edicioni, ku kampioni shpallet pas tri fitoreve.
Në anën tjetër edhe përfaqësues të “Sigal Prishtinës” janë zotuar se nuk do të përsërisin gabimet e ndeshjes së parë.
Përfaqësuesit e klubit prizrenas, në përpjekjet për motivimin e sportdashësve për ndeshjen e madhe kanë shkruar “Prizren a jeni gati?! Të mërkurën, pas iftarit finalja e dytë”.
Hyrja është falas, përpos asaj në parket që do të jetë 3 euro.