Ura e re Velipojë – Ulqin, parashihet të kushtojë rreth 9 milionë euro

Ura e re Velipojë – Ulqin mbi lumin Bunë  do të shkurtojë distancën mes Velipojës dhe Ulqinit nga 73 kilometra në vetëm një kilometër.

Projekti i cili do të finalizohet në muajin gusht, pritet të përfundojë brenda 18 muajve.

Projekti u prezantua gjatë takimit të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, me homologun e tij të Malit të Zi, Dritan Abazoviq në kuadër të punimeve të samitit të “Ballkanit të Hapur”, të mbajtur sot në Ohër.

Ky projekt pritet të kushtojë 9 milionë euro.

Kështu tha gjatë prezantimit drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli.

“Me projektin e urës se re do të kemi një distancë të shkurtuar 73 herë midis 2 vendeve. Ura do jetë 310 metra me tre harqe, është e kategorisë C1, do përdoret për makinat, kalimtarët e biçikletat dhe do të ketë dy korsi dhe pjesë të vendpushimeve. Ura ka një lartësi që lejon kalimin nën të në rastin kur Lumi Bunë do të jetë i hapur për mjetet lundruese. Jemi në fazën e përgatitjes të projektit të detajuar. Brenda 2 muajve do të jetë gati projekti dhe më pas procesi i buxhetimit dhe i prokurimit do të kërkojë 6 muaj, deri në qershor 2023, dhe mund të përfundojë brenda 18 muajsh.Ura parashikohet të kushtojë 9 milionë euro”, tha Agolli. /KK