Vajza e Kadaresë zgjidhet zv/presidente e Asamblesë së Përgjithshme të OKB

Shqipëria është zgjedhur për rolin e zv/Presidentit për Sesionin e 75-të të Asamblesë së Përgjithshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Këtë pozicion e merr ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare, e cila është vajza e shkrimtarit Ismail Kadare.

Lajmin e ka dhënë vetë ambasadorja Kadare përmes një postimi në rrjetet sociale. “Jam krenare  të njoftoj se Shqipëria është zgjedhur Zëvendës Presidente e sesionit 75 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara!

Është një nder i veçantë të shërbejë si Zv/Presidente e këtij sesioni historik dhe mezi pres të punoj me Ambasadorin Volkan Bozkir, Presidentin e sapozgjedhur të Asamblesë së Përgjithshme nga Turqia.

Ky është një privilegj i madh dhe përgjegjësi e jashtëzakonshme për t’i shërbyer vendit tim në këtë post të rëndësishëm, me një vëmendje të madhe në arenën ndërkombëtare.

Secili grup rajonal në OKB përfaqësohet me një Zëvendës President në Asamblenë e Përgjithshme. Shqipëria do të përfaqësojë Grupin e Evropës Lindore (anëtarët e EEG, përfshijnë Ballkanin, Evropën Lindore, Rusinë, Ukrainën, Bjellorusinë, Azerbajxhanin, Armeninë etj”, shkruan Kadare.

Sesioni i përvitshëm që mbahet në shtator, këtë radhë nuk do të sjellë udhëheqësit nga e gjithë bota, si ka qenë tradita e dekadave të fundit. Kjo për shkak të krizës së koronavirusit.