16-04-2024

Vdekja enigmatike e 51 vjeçarit nga Kushnini i Hasit, flasin familjarët

Shumë dyshime janë ngritur mbi mënyrën se si ndërroi jetë babai i dy fëmijëve, Shaq Temaj, nga fshati Kushnin i Prizrenit. 51-vjeçari u gjet i vdekur në parkingun e një moteli në fshatin Xërxë të Rahovecit, pas shumë orëve që figuronte i zhdukur. Express gjatë ditës ka qëndruar në Prizren e në Rahovec, nga ku familjarët e ata që e panë të fundit të ndjerin kanë rrëfyer për rastin

Në parkingun e një moteli në fshatin Xërxë të Komunës së Rahovecit u  gjet i vdekur në orët e para të së premtes babai i tre fëmijëve 51-vjeçarit, Shaq Temaj.

Vdekja enigmatike e 51 vjeçarit në oborrin e motelit në Rahovec, flasin familjarët

Temaj, me profesion bukëpjekës, kishe dalë nga furra, të cilën nuk kishte as një javë që e kishte hapur, të enjten në ora 11:00, por, aty nuk do të kthehej më i gjallë.

51-vjeçari, ditën kur edhe u zhduk, me të dalë nga vendi ku punonte në fshatin Kijevë, kishte lajmëruar familjarët se po shkonte për në shtëpi.

Megjithatë, kishin kaluar tri orë dhe i njëjti ende nuk ishte lajmëruar. Krejt kjo kishte shqetësuar familjen, pasi që rruga deri në fshatin ku ai jetonte zgjat maksimumi një orë me veturë.

Atëherë, gruaja e tij do ta telefononte dhe ai do t’i tregonte asaj se gjendet në fshatin Xërxë, rrugës për në shtëpi.

Pasi që pas kësaj bisede, e pas disa orëve që kishin kaluar, Shaqa nuk u shfaq në shtëpi, gruaja dhe djemtë lajmëruan pjesën tjetër të familjes dhe dolën në kërkim, e më vonë njoftuan edhe policinë.

Pas më shumë se 10 orë kërkimesh, Shaq Temaj u gjet i vdekur në veturën e tij, nga Policia e Kosovës.

Gazeta Express gjatë ditës ka qëndruar në fshatin Xërxë, ku ndërroi jetë 51-vjeçari dhe në familjen e tij në fshatin Kushnin të Komunës së Prizrenit, nga ku familjarët thanë se rasti është në dorën e policisë, e nuk kanë pas probleme me askënd, ndërkaq, edhe pronari i motelit tregoi versionin e tij.

Të premten shumë miq e bashkëfshatarë ishin nisur për në fshatin Kushnin ku familja Temaj kishte hapur të pame.

Përderisa po pritej për trupin e të ndjerit, familjarët thanë se asnjëherë nuk kanë pasur probleme me askënd që do t’i çonte në dyshime për mënyrën se si ka ndodhur rasti.

Fshati Kushnin – shtepia e te ndjerit

Vëllai i të ndjerit, rrëfeu gjithashtu edhe se si kishin dalë në kërkim dhe në sa ora është gjetur.

“Ky u nisë në relacionin Kijevë- Kushnin, 1 orë i ban me kerr i ka zgjatë dy tri orë, e ka thirr gruaja e vet i ka thanë jam në Xërxë prej aty as gjys ore si ban, kjo ka ndodhë në mesditë në 11 të ditës na kanë thirr neve se vlla e kemi kemi dal me e lyp se jemi 7 vëllezër. E kemi gjet në ora 2 të natës. Ja pat nis pak me u smu stresi zaherë se e ka çel një furrë frik, jo s’po ndihna mirë thojke ka pas pak ankesa po jo, kur e gjetëm të vdektë e thirrëm ambulancën po ka vdek në vend të ngjarjes. Në Xërxë e kemi gjet te Kosova 1”, deklaroi ai, duke shtuar se asnjëherë nuk kanë pas probleme me askënd.

“Policia i ka krejt në dorë, nuk kemi pas probleme me askënd asnjëherë, vdekje natyrale ka qenë, policia e ka rastin. Jetojmë këtu që 40 vite. Jemi me dhimtat tona me dertet tona, s’na kanë thanë kurgjo për dyshimet çka ka mujt me ndodhë”, tha ai duke thënë se janë duke pritur rezultat e autopsisë.

Në fshatin e tij, të ndjerin e kujtojnë me fjalë të mira.

Fshati Kushnin – Prizren

Shoku e bashkëfshatari i tij, Nevruz Jupa, i ka thënë Expressit se nuk ka ditur se i ndjeri ka qenë i sëmurë.

“Në rrethinën e Hasit nuk ka pas si ai, sa i përket meje edhe familjes, drejt met kallxu as vëllau jem qaq nuk mu ka dhimtë, si vllau jem, Kam dëgju sot në ora 09:30 tu pi kafe jam kanë. E ka pas një furrë ne Kievë kish dal prej furrës  Jo jo për sëmundje nuk e di po probleme në fshat s’ka pas me shnet ka qenë mirë”, shtoi ai.

  • Versioni nga vendi ku u  gjet trupi i të ndjerit

Në vendin ku u gjet trupi i të ndjerit, 51 vjeçar, të premten pasdite nuk shihej asnjë lëvizje. Aty nuk gjendej as vetura ku ndodhi rasti.

Moteli ku u gjet i vdekuri

Express gjatë ditës ka qëndruar në fshatin Xërxë dhe ka biseduar me pronarët e atij moteli. Ndonëse në vend të punës, nuk ishte asnjë person, edhe pse objekti ishte me dyer të hapura, përmes telefonit ata thanë se për rastin janë njoftuar nga mediat.

“Nuk kemi asnjë informacion për të cilën po thoni ju, për besë ju na keni informuar po ne e dimë që ky rast ka ndodh më poshtë te ajo shtëpiza te vullkanizeri”, thanë ata, duke mbetur të paqartë a dinë apo jo se çka ka ndodhur.

Madje, ata po thonë se nuk mbajnë as evidenca e nuk kanë kamera për të parë hyrjet e daljet.

Për dallim nga pronarët, se vetura u gjend në parking, po thonë edhe  familja edhe nga policia e të ndjerit.

  • Versioni i prokurorisë dhe policisë

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimi ka bërë të ditur për Express se janë duke kryer hetimet, ndërkaq, trupi i të ndjerit është dërguar për obduksion, duke dhënë edhe detaje për rastin.

“Mbrëmë pas mesnatës, pas shumë orë  kërkimesh është gjetur i ndjeri, mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij në vend të ngjarjes. Është gjetur i lidhur me rripin e veturës e i kthyer në krahun e djathtë nuk ka pas shenja të dhunës, është dërguar trupi për në obduksion, ndërkaq, nuk dimë se çka të themi sa i përket dyshimeve të para’’, deklaroi ai.

Ndërkaq, nga Policia e Kosovës, Zëdhënësja e policisë në rajonin e Gjakovës, Lirije Podrimja, ka thënë se trupi i pajetë është gjetur rreth orës 01:55 minuta.

Kushnin – Prizren

“Rreth orës 01:55, Stacioni i Policisë në Rahovec është informuar se një fshatin Xërxë të Rahovecit, është gjetur një veturë e ndaluar brenda të cilës ishte një person, i cili dyshohej se kishte vdekur. Ekipi i mjekëve ka konstatuar vdekjen e viktimës Sh.T., 51 vjeçar”, ka thënë Podrimja.

Varrimi i të ndjerit, 51 vjeçarit Shaq Temaj do të bëhet nesër në ora 12:00 në varrezat e fshatit. Temaj ka lënë prapa dy fëmijë./Express

 

Asnjë koment

Comments are closed.