26-11-2024

Vdiq kompozitori e dirigjenti i njohur, ish-pedagog i Shkollës së Muzikës në Prizren, Kristë Lekaj

Ka vdekur në moshën 85-vjeçare kompozitori dhe dirigjenti i njohur, Kristë Lekaj. Lajmin e ka bërë të ditur Filarmonia e Kosovës në një postim në Facebook të hënën pasdite.

Lekaj u lind në Shkup më 1935. Kreu Shkollën e Mesme të Muzikës në Prizren, diplomoi në seksionin e teorisë së muzikës në Akademinë e Muzikës në Beograd. Për një kohë, disa vjet kishte qëndruar në Tiranë për të marrë mësime nga Çesk Zadeja, në fushën e kompozimit.

Pas studimeve u kthye në Prizren, ku punoi si pedagog në Shkollën e Muzikës. Pas Prizrenit erdhi në Prishtinë, ku krahas punës pedagogjike në Shkollën e Lartë Pedagogjike – Dega e Muzikës, deri në pensionim, punoi në seksionin e muzikës në Radiotelevizionin e Prishtinës. Ka qenë aranzhues i shumë këngëve të muzikës argëtuese si dhe dirigjent. Opusi krijues i tij përbëhet nga një numër jo shumë i madh i veprave të muzikës serioze, ndër të cilat, poema simfonike “Trualli betohet”, “Impresione simfonike” për orkestër, “Suitë korale” për kor miks, muzika e filmit, “Proka”, “Requiem” për kor dhe orkestër e të tjera.

Filarmonia e Kosovës, në postim, vdekjen e Lekajt e ka quajtur humbje për muzikën e artin në Kosovë.

“Jemi të prekur me lajmin për ndarjen nga jeta të kompozitorit dhe dirigjentit Kristë Lekaj. Përveç punës shumëvjeçare në Radiotelevizionin e Prishtinës, Lekaj ka dirigjuar pas luftës, për disa vjet, edhe Korin e Filharmonisë së Kosovës, ku ka punuar edhe si korepetitor”, ka shkruar Filarmonia. Sipas Filarmonisë, Lekaj u nda nga kjo jetë për të lënë pas vetes vepra me vlerë. “Me punën dhe kontributin e tij ai ka fituar respektin e të gjithëve që e kanë njohur. Anëtarët e Filarmonisë së Kosovës do ta kujtojnë me respekt angazhimin e tij të çmuar në fushën e muzikës”, shkruhet në postimin e institucionit më të lartë të muzikë në vend, ku u shprehet ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Kristë Lekajt./KN

Asnjë koment

Comments are closed.