Vera e varfër në Prizren: Rruga kryesore e zbrazët pa qytetarë e blerës (VIDEO)
Kjo verë duket të jetë ndër më të varfrat që njeh historia e re e Prizrenit.
Për dallim nga herët tjera, kur sidomos në korrik e gusht qyteti gumëzhinte ditën e natën, pothuajse pandërprerë, sivjet shkaku i Pandemisë, duket sezon shumë i “zbehtë”.
Nëpër rrugë e dyqane mungojnë mërgimtarët, që vinin për të blerë stoli ari e veshje nusesh, duke e lënë qytetin pa “infuzionin” e zakonshëm ekonomik, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.
Një pamje e tillë ishte sot paradite, pak pas orës 11:00, në rrugën kryesore “Adem Jashari” të Prizrenit, që nga hotel “Theranda” e deri te “Shtëpia e Bardhë” ku edhe ndodhen dyqanet kryesore të argjendarisë, tekstilit, etj.
Në video-xhirim shihet se ndonëse tashmë është piku i sezonit, për disa minuta në këtë rrugë, jo vetëm që nuk shihet ndonjë qytetar, por shumë pak ka edhe qarkullim të automjeteve.
Në këtë kohë, pra në fund të korrikut zakonisht shumë pak dallonin ditët e fundjavës, nga ato të punës.
Me një fjalë forca blerëse “ka rënë për toke”, por pasojat ekonomike të kësaj gjendje mbase do të vërehen edhe më tepër në vjeshtë e dimër./GazetaePrizrenit.net