24-04-2024

Vesa, Hana dhe Rroni: Rrëfimi për babain tonë, Agim Qenën

Arbër Selmani

“Vendimi që unë me studiu regji të teatrit ka ardhë prej Agimit, por ai nuk e din. E di që kemi pasur mysafir në banesë, edhe ai ka qenë tuj fol me dikë prej familjarëve. Në atë muhabet, unë jom bo kinse po flej, i ngojsha çka po flasin. Në bisedë e sipër thojke që në Kosovë duhet me pasë një regjisor që e inskenon ‘Idiotin’ e Dostojevskit. Aty kom mendu me vete – unë duhna me qenë ajo që e bon këtë shfaqje, dhe kjo ka ndiku si tërthorazi. Ai e ka mendu në aspektin që në këtë vend nuk ka regjisorë për një vepër kaq të madhe. Deri sot nuk e kom bo shfaqjen, por ka qenë si vendim që unë e kom marrë aty për aty, për me e bindë që dikush mundet me e bo këtë veprim, me e plotësu dëshirën e babës”.

Hana Qena nuk është vetëm regjisore, pjesë e disa projekteve filmike në vend dhe pjesë e kolektivit artistik ‘Haveit’. Me pasazhin lart, ajo ngrihet edhe më lart, duke qenë vajza e Agim Qenës, një prej karikaturistëve e artistëve më të mirë të një gjenerate të kaluar në Kosovë.

Në qarqet e popullit, Agimi do të njihej edhe me emrin ‘Tafë Kusuri’ – emri i stripit të cilin Agimi e shndërroi në kult, në legjendë, në pjesë të preferuar të gazetave, në arsyen kryesore pse të dëshpëruarit e të kënaqurit e Kosovës në mesin e sistemeve të tmerrshme e të mira e blenin një gazetë për ta pasur në shtëpinë e tyre.

Për një si Agimi, Kosova ka qenë vend i inspirimit, budallallëqeve, intrigave, vendi ku kishte rreziqe për kriza energjetike, dhe ku ndoshta supa e servuar sot ishte më e keqe se ajo e djeshmja. Nuk do të pajtohej kamarieri, por Agimi e vërtetonte.

Hana është një nga pesë fëmijët e Agim Qenës, burrit që ndërroi jetë në vitin 2005, duke lënë pas vetes art e hajgare me bollëk. Pa dorëza, pa teklif, në kohët kur kultivoi art Agim Qena dhe sishokët e tij, ndryshe nuk veçoheshe, pos duke goditur me një dozë të sarkazmës e ironisë. Pos Hanës, Agimi, në atë që ai vetë do ta quante ‘proces biologjik’, martuar me Perihane Qenën do të ndërtonte familjen ku bëjnë pjesë edhe Vesa, Rroni, Mireri e Lumi. Sot, veç ata dy nuk janë, dy institucionet prej kah dolën pesë kapituj libri.

Agim Qena dhe Perihane Qena

Në këtë tregim vijnë Hana, Vesa e Rroni – të tre të prekur nga magjia e artit dhe nga qortimi jo më pak artistik i Agimit, njeriut me mendim kritik e me qasje të mrekullueshme humoristike ndaj realitetit.

“Asnjëherë nuk më ka tregu se çka me studiu, e ka vërejtë që kam mendim kritik ndaj gjërave. Me Agimin, kemi folë për shumë gjana, nuk ka pasë kufizim të bisedave. Kur ja pata nisë me pi cigaren, as nuk jom tutë që ai ka me m`bërtitë. Mënyra se qysh ai na ka rritë, më ka pavarësu. Asnjëherë nuk kom thonë që babi ka me e bo këtë apo atë për mu. Babi për mu ka qenë aty për përgjigjje, por jo me më ndihmu me gjithçka sikur sot prindërit që iu gjinden e i ndihmojnë fëmijëve të vet. Kjo në esencë, ka qenë për mua shumë e shëndetshme për jetë” e vazhdon rrëfimin për Agim Qenën, Hana Qena.

*

Rroni, fëmija i mesëm i shtëpisë, djali më i vogël, ishte veç 26 vjeç kur Agimi vdiq. Kujtimet lulëzojnë në tavolinë.

“Kur e ka pa Agimi që po du me hy në art, aty jemi lidhë shumë. Ka ndodhë që më ka marrë me vete gjithkah, edhe në kafe. E di që si 11-12 vjeçar shkojsha në kafe me të, më ka mësu qysh me lujt biliardo. Kur fillova në shkollë fillore, i pashë do shokë tuj vizatu dhe prej dashnisë së tyre për artin, lakmova. Fillova me vizatu, edhe si duket Agimi më ka pa, edhe filloi me këshillat e tij. M’ka qitë në natyra të qeta, m`ka shti me i vizatu. E kom nisë një vizatim, ai ka dalë në kafe dhe kur osht kthy, kemi folë më pas deri në mëngjes qysh ka qenë ai vizatim dhe qysh me e perfeksionu” tregon Rron Qena, djali i Agimit, nuk e do mend që ndoshta edhe djali i parë i plejadës familjare që do të përafrohej me Agimin në nivelin artistik. Rroni sot është piktor, ndër më të arriturit e gjeneratës së tij.

Agimi dhe Hana

“Sipas tij, duhet me të prekë Zoti për me mujt me u marrë me art, për art nuk osht gjithkushi. Nëse je mesatar, nuk mrrin, ose je ma i miri ose hiç. E ka pasë një frikë për fëmijët e tij me hy në art. Mu gjithmonë më ka thonë që kom talent, por ka pasë frikë nëse mbijetoj prej pikturës, ka mendu që njerëzit nuk janë ende në atë nivel, njerëzit e asaj kohe. E ka pasë një zemërim të madh, sikur nuk ka qenë për këtë shoqni, ka qenë botë në vete. Kur i ka dëgju lajmet, politikanët, i ka pa rrenat, përrallat, dhe e kanë lëndu. Ka pasë qejf që shoqnia me mbërri një nivel tjetër. Kur ka mbetë ai pa punë, edhe shpija ja ka nij krismën, sepse me atë rrogë jemi mbajtë. Ka kriju në banesën e vogël, në Bregun e Diellit, me pesë fëmijë, e zakonisht njoni prej fëmijëve, unë ose motrat, ja kemi dërgu ‘Tafë Kusurin’ në gazetë. Në ‘Rilindje’, në ‘Bujk’ më pas, në ‘Koha Ditore’, në ‘Bota Sot’, në ‘RTK’. Nuk ka dashtë me ja cenzuru karikaturën” thotë Rroni.

*

Agim Qena e nisi projektin e tij më të mirë të jetës, stripin komik ‘Tafë Kusuri’, fillimisht në një gazetë lokale në Mitrovicë e më pas, edhe në Prishtinë. Do të punonte aty ku punoi ajka e kohës, në ‘Rilindje’. Stripi komik, ku me pak fjalë nënkuptohej e transmetohej goxha si shumë thumb, vazhdoi edhe te disa mediume tjera, deri në vitet e fundit të jetës së Agimit, kur ai do të molisej për të qenë i tejpërtejshëm artistikisht.

Mbiemrin Qena e keni të njohur, nëse jo për dikë tjetër, më shumë për Muharrem Qenën. Muharremi ishte vëllai i Agim Qenës, dhe më i madhi i të tjerëve: Xhevatit, Nazmës, Nehatit, Melit, Resmës, Shpresës e Fatmës. Muharremi dhe Agimi, më i madhi dhe më i vogli fëmijë i Qenajve, një familjeje që edhepse me nëntë fëmijë, nuk do të shkonin shumë tek njëri tjetri. Arsyeja kryesore: dukshëm, shumë prej fëmijëve do të kishin zjarr artistik të cilin, të akumuluar, do të donin ta ndiznin e shpërthenin në momente të caktuara, larg të tjerëve. Sot, nga të gjithë fëmijët, gjallë janë Resma, Shpresa, Fatma dhe Meli Qena.

“Agimi nuk ka qenë aspak një njeri fizik, të gjitha interesimet e tij kanë qenë psiqike. Nuk ka qenë shumë i lidhur me asgjë fizike, thu ti se ka qenë mysafir këtu. Nuk ka pasë shumë dëshirë me hangër, me dalë me shetitë, e ka pasë krejt me e analizu universin. Ka rrezatu shumë autoritet, ka qenë i vendosur, nëse ke hy në debat me të, ka mujt natën me ta bo ditë, të bardhën të zezë, ka pasë shumë argument dhe shumë të vërteta. Agimi është marrë me karikaturë, e për pikturë ka pasë shumë talent. Në vizatimet e tij shihet që dorën e ka pasë të mjeshtrit. Megjithatë, nëpërmjet karikaturës ka mbërri me mbijetu, me marrë rrogë, për familjen, dhe kësisoj ka mbetë larg pikturës. Edhepse puna e krijimit ka qenë 10-15 minuta, krejt ditën e ka kërku idenë, herë jashtë e herë brenda banesës, por duket se është shliru kur në fund e ka nxjerrë karikaturën” tregon tutje Rron Qena.

*

Vesa Qena ka qenë vetëm 14 vjeçare kur vdiq Agimi, dhe mendja e saj i ka qëndisur bukur kujtimet midis saj e Agimit në këto 14 vite jetë. Edhe Vesa, sikur fëmijët tjerë, më rrallë e përmendin fjalën baba, e më shumë artistit i drejtohen me emrin Agim.

“Agimi ka qenë figurë e rëndësishme në jetën tonë, aspak i zakonshëm si babë. Prej tij, kom mësu shumë, jom nij shlirë me bo pyetje sepse e kom ditë që gjithmonë ka përgjigjje. Shpesh e mendoj se çfarë jete kisha pasë sot nëse ai do të ishte gjallë, nëse kisha vazhdu krejt këto vite me marrë këshilla prej tij. Nuk osht që me Agimin kom dalë me shetitë, nuk kena dal me lujtë, nuk kena bo gjana që prindërit tjerë i kanë bo me fëmijët e tyre. Koha e lirë me Agimin nuk osht nënkuptu patjetër me dalë: na ka tregu tregime të ndryshme, na ka rekomandu me lexu libra, ka tregu batuta, kemi folë shumë” më rrëfen Vesa Qena, e që të dy jemi të ulur përballë një piktureje të punuar nga Rroni, ku shihet Agim Qena dhe bashkëudhëtarja e jetës së tij.

Agimi dhe Perihanja, pikturuar nga Rron Qena

“Kur jom kon e vogël, Agimi gjithmonë ka pasë qef që unë me u bo doktoreshë. Kur erdhi puna që ishte keq më shëndet, thojke ‘ishalla bohesh doktoreshë edhe e kupton se çka kom’. Nuk doli ashtu. Unë edhe në vizatime jom kon gjithmonë e dobët, por Agimi i ka rujt, edhe pse unë pa talent, ai ka ditë me më mbështetë. Shumë mbështetës. Ka qenë shok, nuk të ka kursy prej fjalëve, nuk e ke ndje që je fëmijë përballë tij” tregon Vesa Qena, e cila sot shkruan, është dramaturge dhe punon në Qendrën për të Drejtën Humanitare ne Kosovë.

Njëjtë si Vesa, çdo njeri që e ka humbur dikë e kupton mirë mishërimin me kujtimet dhe përqafimin e së kaluarës në raport me këta njerëz.

“Dhimbja, kur ka vdekë Agimi, ka qenë shumë e madhe, por u shndërru në kujtime me të cilat ti jeton. Me një fazë të jetës fillon me u tut mos po e harron këtë njeri, por kjo frikë pikërisht nuk të len me e harru. E mban mend edhe fytyrën, ose e krijon më vonë një brenda vetes. Kom majtë ditar në atë kohë, e vogël, dhe në ditarin e fundit, se masanej u rrita, e pata shti edhe Agimin mem shkrujt diçka. E pati shkru një poezi të vogël, e më pati thënë se duhet me provu me shkru edhe tregime” rrëfen Vesa Qena, sot 29 vjeçare.

*

E mira e njerëzve të mëdhenj dhe atyre të rrahur me intelektualizëm, është edhe kupa e kujtimeve që ata lënë pas, kujtimeve që u investuan gjatë një jete të tërë. Hana, Rroni e Vesa numërojnë plot sosh.

“Një kujtim vivid e kam edhe kur arsimtarja e vizatimit na dha detyrë me bo një mozaik me letra vizëlluese. Në qat kohë, i kemi pasë punët keq me pare dhe nuk kom pasë pare me ble letër vizëlluese. Agimi thojke që ka me ma bo vizatimin ma të mirë në klasë, dhe me copa të gazetës e maroi një figurë, nuk guxojsha me i thonë por nuk më pëlqente hiq edhe e dijsha që as arsimtares nuk ka me i pëlqy. Punimet në mozaik janë standarde. Arsimtarja u tmerru, më bërtiti, unë u ktheva në banesë tuj kajt, Agimi u nervozu tepër dhe e fajësonte arsimtaren. Tepër jom ndi keq që jom diferencu prej klasës, por tash kur e mendoj me objektivitet, Agimi në fakt ka qenë njëri prej njerëzve që ka ndiku që unë me u diferencu në jetë, me kriju identitet, mos me pasë problem nëse bën diçka ndryshe e me u nij në siklet për atë punë” tregon Hana Qena, e cila ishte 17 vjeç kur e humbi figurën e babait.

“Ton ditën kena dëgju Deutsche Ëelle, lajme, kena lexu gazeta. Na ka shti gjithmonë me lexu shumë libra. Njëherë m`pat pa tu e kqyrë sa faqe i ka libri, dhe m`pat tmerru. –Qysh ia nis me lexu librin kur e kqyrë sa faqe i ka-. Na pat bo si shprehi leximin. Atëherë nuk e kom vlerësu këtë fakt sepse dojsha me dalë me lujt me shoqe, por më vonë e kom kuptu. Pikëllohem se më është mbyllë një derë e dijes, me ikjen e Agimit, nuk kom pas kujt mo me i bo pyetje për shkollën, pikëllohem që nuk e kom mo një person qaq intelegjent në afërsi, të cilin kom mujt me e pytë për gjithka dhe për gjithçka ka pasë përgjigjje” vazhdon Hana.

Agim Qena, pikturuar nga Rron Qena

Mjeshtëria dhe bukuria e karikaturës së Agim Qenës qëndron në faktin se me pak fjalë, ai ka përshkruar situatën politike, pa ndonjë metaforë a diçka të fshehtë.

“Shumë njerëz e kanë ble gazetën veç me e lexu ‘Tafë Kusurin’, ai ka qenë i përfshimë kogja shumë në jetën politike të vendit. Në mënyrë sarkastike, ai ka ditë me e përshkru vendin e tij, me 2-3 fjali. Agimi dhe axha Muharrem kanë pasë shumë zjarr për art. I kemi pasë banesat afër me axhën Muharrem, ka qenë tepër njeri i qetë e i hareshëm. Kur jom kon e vogël nuk e kom ditë rëndësinë e këtyre dy personave, nuk e kom kuptu madhështinë e tyre. Sot e shoh ndryshe, dhe krejt kohën mendoj se jam nën hijen e tyre, pa dashje, sepse si artiste duhesh gjithmonë me tentu me i kalu ose me u afru me suksesin e tyne” tregon tutje Hana.

*

Vitin e fundit, kujtimet janë përzier për të gjithë fëmijët e familjes. Në qershorin e vitit 2019-të, Hana, Rroni e Vesa e humbën edhe nënën e tyre, një grua që sakrifikoi shumë. Të tre fëmijët janë të lënduar, kjo reflektohet, por gjejnë forcën të tregojnë se si Agim dhe Perihane Qena janë dy faktorë në formimin e personalitetit të tyre.

“Vdekjen e parë e kom përjetu ndryshe, jom kon ma e re dhe e kom pas prindin tjetër. Me vdekjen e dytë, atë të mamit, komplet jeta e mëparshme osht rrënu. Për një kohë e kom harru pikëllimin dhe ftohtësinë që ta krijon një humbe, e me vdekjen e mamit nuk e nij mo rëndësinë si person, nuk e kom një babë që ta bon një vizatim apo një nanë që të ndihmon. Çdo ditë e ma shumë mendoj për ta, në memorien teme janë më të gjallë se sa kur kanë qenë gjallë. I kom ton kohën në mendje” thotë Hana.

Agimi dhe Perihanja janë njoftuar në Mitrovicë. Agimi ka jetuar aty, e Perihanja te Tunelli i Parë.

“Agimi thojke që nana ka qenë femna ma e bukur në Mitrovicë. Ky ka bo shumëçka me i ra n`sy. Njëherë ka hyp në bicikletë me 7-8 fëmijë të tjerë, përskej kanallit, ka bo diçka që nana me e vërejtë. Janë martu, kanë jetu masnej në Mitrovicë, derisa kemi ardhë në Prishtinë, e këtu më pas Agimin në vazhdimësi e ka thirrë edhe diçka tjetër, ndoshta edhe arti shumë. Nana masnej u bo shtylla e familjes, nana na ka rritë, Agimi ka qenë shtylla e popullit” tregon Rroni.

“Mami për një kohë ka punu daktilografe. Agimi osht tranu mas mamit, i ka ble çokollada, edhe i ka pasë ato momentet me bicikletë. Ka qenë edhe falsifikator i mirë – nëse ka ardhë cirku në qytet, ai krejt mahallës i ka japë biletë. Ka qenë sharmant shumë”, tregon Vesa.

*

Jemi në fundin e tregimit për Agim Qenën. Dikur, një burrë e kishte takuar Agimin, dhe kur e kishte marrë vesh se në fakt ishte takuar me ‘Tafë Kusurin’, ishte mahnitur e habitur. Nuk e kishte pritur një Agim të tillë, por një Tafë Kusur më të madh me shtat. Kaq ishte e lartë pritja dhe respekti për Agimin në një Kosovë më të re, më pak të moshuar, dikur.

Agim Qena është njëri prej pionierëve të stripit kosovar, së bashku me Ramadan Zaplluzhën, Gani Jakupin etj. As ky tekst dhe kujtimet e tre fëmijëve të tij nuk do t’ia bëjnë respektin e duhur, në 15 vjetorin e vdekjes, së shpejti.

Te Hana, Agimi e ka lënë vendosmërinë. Te Rroni, thonë, konstruktin e trupit, fizionominë. Te Vesa, dashurinë për shkrimet dhe fjalën. Tek të gjithë fëmijët, ndjeshmërinë.

“Agimi ka qenë goxha si bohem. Ai ka mujtë me nejtë me njerëz prej elitës e deri te njerëzit tjerë, për të nuk ka qenë e rëndësishme kush osht në tavolinë. Njëherë, në një galeri i pengojshin këpucat, dhe i heki, dathun, këmbën mbi këmbë. Gjithmonë i shkojke nerva fakti se qysh njerëzit flasin shumë e nuk thojnë kurgjo” pohon Rroni.

Agimi ndoshta tërë jetën do të mund të ketë qenë nën hijen e Muharrem Qenës, por në familje konsiderohej si koka më e mençur e Qenajve. Agimi, ky njeri me logjikë të shëndoshë, që dikur nisi të pinte, të zhytej në muhabete, ndoshta drejt një vetëvrasjeje të ngadalshme. Agimi, Tafë Kusuri, ai që i shtynte fëmijët e tij drejt perfeksionit në fushat që ata kishin zgjedhur të arratiseshin përjetë.

Rroni vazhdon ende të jetë një piktor. Prej kësaj jete, në pikturë, ai e dëshiron më të mirën, me dy prindërit e tij në mendje. Vesa, jo më pak, në fillimin e të tridhjetave të saj kërkon ta gjejë përkthimin e trishtimit në forcë drejt lumturisë, nëse kjo e fundit arrihet a ekziston. Edhe Hana, njëjtë, herë në Tiranë e herë në Prishtinë, frymon me rrebelizmin e Qenajve. Ndoshta të tretë janë karaktere të Tafë Kusurit, nuk i dihet. Çka dihet është se si Agimi nuk ka një tjetër.

(Ky tekst është botuar me ndihmën e Komunës së Prishtinës dhe subvencioneve kulturore vjetore nga kjo Komunë)

Asnjë koment

Comments are closed.