26-11-2024

Vetëm gjatë këtij viti 56 mjekë ikën nga SHSKUK-ja

Derisa vite me parë Shërbimi Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK), ka qenë mjaftë atraktiv për mjekët specialistë, së fundi gjërat kanë ndryshuar. Kushtet e punës dhe pagat e ulëta, kanë bërë që puna në SHSKUK, të mos jetë dhe aq atraktive për mjekët specialistë.

Numri i mjekëve që po braktisin SHSKUK-në edhe pas shumë viteve punë në këtë institucion, për të vazhduar profesionin e tyre jashtë vendit apo në klinikat private, po rritet.

Trendi i ikjes së mjekëve nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) po vazhdon. Vetëm nga Janari deri me 15 Nëntor të këtij viti,  56 mjekë specialistë i kanë shkëputur kontratat me SHSKUK-në.

” Nga muaji janar deri më 15 nëntor të këtij viti, 56 mjekë specialistë të profileve të ndryshme, kanë shkëputur kontratat me SHSKUK-në”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së për “IndeksOnline”.

Nga të dhënat e SHSKUK-së del se nga viti në vit, numri i mjekëve që e kanë lënë punën në SHSKUK, është në rritje.

Në vitin 2020 nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, janë larguar vetëm tre mjekë specialistë, që ishin të angazhuar nëpër njësitë e SHSKUK-së,  të cilët me vetëdëshirë, i kanë shkëputur kontratat e punës.

Ndërkaq ky numër është rritur një vit më vonë. Nga të dhënat e marra nga SHSKUK, thuhet se në vitin 2021, 26 mjekë specialistë, kanë përfunduar marrëdhënien e punës me SHSKUK-në.

Por nuk ka pasur vetëm ikje të mjekëve nga SHSKUK-ja. Pasi që për dy vjet në SHSKUK, janë punësuar 128 mjek specialistë.

“Me konkurs publik, duke respektuar legjislacionin përkatës në fuqi, gjatë vitit 2021 dhe 2022, në SHSKUK janë punësuar 128 mjekë specialistë, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së për Indeksonline.

Asnjë koment

Comments are closed.