12-10-2024

Vetëm në tre vitet e fundit, Liria ka fituar qindra mijëra euro nga transferimet e Vedat Muriqit

Liria e Prizrenit është skuadra e parë e Vedat Muriqit, pasi sulmuesi dardan e ka nisur karrierën te skuadra e qytetit të tij.

Sulmuesi prizrenas është larguar nga Liria në vitin 2013 dhe pas dy aventurave të shkurta në Shqipëri te Teuta e Durrësit dhe Besa e Kavajës ka vazhduar karrierën në Turqi.

Giresunspor, Genclerbirligi, Rizespor e Fenerbahce kanë qenë skuadrat turke të Muriqit, derisa ai pastaj bëri karrierë edhe te Lazio në Serie A dhe te klubi i tij aktual Mallorca.

Në total transferimet e Vedat Muriqit te të gjitha klubet kanë kushtuar 36,17 milionë euro, derisa nga çdo transferim i tij ka fituar edhe Liria si klubi që e ka rritur atë.

Ish-kryetari i Lirisë, Qemal Krasniqi nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook ka shkruar se prizrenasit kanë inkasuar të hyra prej 240 mijë euro në tre periudha të ndryshme nga Vedat Muriqi. Bardhezinjtë kanë fituar njëherë 160 mijë euro, një herë tjetër 50 mijë dhe së fundmi 30 mijë euro.

Këto të hyra Liria i ka fituar vetëm pasi është dhënë në menaxhim privat ku në krye të skuadrës është menaxheri i njohur Rrahman Kice.

Sigurisht që klubi prizrenas nga shitjet e Muriqit ka fituar edhe në të kaluarën, pasi ai kishte kryer transferime dy herë nga 500 mijë euro nga Griesunspor te Genclerbirligi dhe nga Genclerbirligi te Rizespor.

Ndërkohë në vitin 2019 sulmuesi dardan ishte transferuar te Fenerbahce nga Rizespor për 5,6 milionë euro dhe nga këto herë Liria ka fituar para, por që shumat nuk janë bërë të ditura./Gazeta Olle

Asnjë koment

Comments are closed.