27-07-2024

Vetëm për katër muaj tërhiqen nga qarkullimi mbi 47 mijë monedha 2 euroshe

Nga dhjetori 2023 deri në mars 2024, janë tërhequr nga qarkullimi dhe deponuar në BQK rreth dy milionë copë monedha prej 2 eurosh, monedha këto të deponuara nga bizneset dhe qytetarët në bankat komerciale.

Kështu ka njoftuar, Banka Qendrore e Kosovës (BQK), e cila gjithashtu ka bërë të ditur se së bashku me bankat komerciale kanë parandaluar hyrjen në sistemin financiar, duke i tërhequr nga qarkullimi rreth 47 mijë e 168 copë monedha prej 2 euro, të dyshuara si të falsifikuara.

“BQK-ja ka furnizuar ekonominë e Republikës së Kosovës përmes bankave komerciale me afër 6.75 milionë copë monedha euro plotësisht të reja të të gjitha denominimeve pa asnjë tarifë të aplikuar. Ky angazhim ka kontribuar në zvogëlimin e qarkullimit të monedhave false, ka lehtësuar identifikimin dhe ka ngritur ndërgjegjësimin e publikut për këtë çështje”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Ndërsa, numri i kartëmonedhave prej 500 euro të tërhequra nga qarkullimi dhe deponuara në Bankën Qendrore ka kaluar mbi 230,000 copë apo mbi 115 milionë euro.

“Në zbatim të masave rregullative, përmes Rregullores për Operacione me Para të Gatshme, sa i përket rregullimit të transportit ndërkufitar të monedhave me qëllim të parandalimit të futjes së parave të falsifikuara, personat fizikë dhe personat juridikë që nuk ushtrojnë veprimtari financiare, janë të obliguar që të bëjnë deklarimin e monedhave nëse bartin më shumë se 100 copë/njësi, pavarësisht që vlera e tyre është nën kufirin e deklarimit prej 10,000 (dhjetëmijë) euro”, thuhet në njoftim.
/Paparaci

Asnjë koment

Comments are closed.