27-04-2024

VETËVENDOSJA s’ka qëndrim zyrtar për drejtorët e shkollave. Reagimet e anëtarëve, personale

Deklarimet e anëtarëve të VETËVENDOSJES në Prizren, përfshirë edhe ato të anëtarëve të Kuvendit Komunal (KK), në të cilat shprehet pakënaqësi pas shpalljes së emrave të propozuar për drejtorë shkollash, mbeten vetëm si qëndrime të tyre, pasi ky subjekt, që udhëheq pushtetin lokal, nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar rreth kësaj çështjeje, transmeton ‘gazetaeprizrenit.net’.

Artan Abrashi, kryetar i Qendrës së VETËVENDOSJES (VV)  në Prizren, njëherësh edhe kryesues i KK të Prizrenit,  ka thënë se deklarimet rreth këtij procesi janë qëndrime personale.

“Lëvizja VETËVENDOSJE nuk ka deklaratë zyrtare për këtë çështje, dhe deklarimet e anëtarëve përfaqësojnë mendimet e tyre”, ka thënë shkurt ai në përgjigjen për portalin ‘gazetaeprizrenit.net’.

Pos, përfaqësuesve të subjekteve opozitare në KK, pas shpalljes së listës me emrat e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të disa shkollave të Prizrenit, ka reaguar edhe anëtarja e KK-së nga radhët e VV-së, Mimoza Bushrani, që në faqen e saj të “facebookut’ kishte shkruar një reagim, në të cilin kritikohej për “tradhti” partneri qeverisës i VV-së,  Nisma, që edhe udhëheq me drejtorinë për arsim.

“Drejtoria e Arsimit, që udhëhiqet nga NISMA, ia ka huq qëllimshëm me listën e kandidatëve të propozuar. DKA (lexo Nisma) paraprakisht rekrutoi anëtarë të rinj, kryesisht nga PDK-ja dhe rezultati përfundimtar për shumicën e qytetarëve po del të jetë tepër zhgënjyes. Asnjë gur i lëvizur për ndryshimin e arsimit, ndryshim i cili po pritet me interesim nga shumica e qytetarëve”, kishte shkruar ajo.

Më tej Bushrani ka thënë: “Personat që ndërruan subjektin politik për një interes personal, e kanë vetëm një emër, ata janë kopilë të politikës ditore, e me kopilë të tillë asnjë proces nuk shtyhet përpara. Çfarë të presim më tepër kur një “JO” e Nismës, brenda natës bëhet “Po”?
Njëjtë sikur me rastin e projektligjit për demarkacionin me Malin e Zi”.

Pos saj, për çështjen e drejtorëve kanë reaguar të paktën edhe dy asamblistë të LDK-së, subjekt ky që po ashtu është në koalicion  me VV-në në Prizren.

Derisa kuvendari Petrit Hoxhaj, ka shkruar “Ku met Depoletizimi i Arsimit ne Prizren ooooo Kryetar Mytaher Haskuka? A je ne dijeni apo keni Gisht edhe Ju ketu ??? Shifemi ne Kuvend të entjen!”,  referuar shkrimeve në media, Haziz Hodaj, për drejtorin e Arsimit, Skënder Susurin kishte shkruar “i zhgënjyer skajshmërisht tani të them: Puna e mbarë por jo me Ne ma Skender!”.

Por, derisa në VV kanë sqaruar mungesën e qëndrimit zyrtar, nuk dihet çfarë po ndodh në LDK.  Kryetari i degës, Haxhi Avdyli, nuk ka kthyer përgjigje, për pyetjen e “gazetaeprizrenit.net” nëse ky subjekt kishte një qëndrim zyrtar për cështjen e drejtorëve.

Ndryshe, drejtori i DKA, Susuri në një deklarim për Televizionin lokal “Besa” derisa e ka lavdëruar procesin e përzgjedhjes së drejtorëve, sa i përket reagimeve, i ka ndërlidhur ato me siç ka thënë mospërmbushje të synimet personale të disa individëve./gazetaeprizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.