24-11-2024

Vetëvendosje braktis mbledhjen e Kuvendit të Prizrenit, dështon seanca

Pas dështimit të seancës së jashtëzakonshme kohë më parë, të enjten ka dështuar mbajtja e seancës së rregullt nga Kuvendi i Prizrenit, pasi punimet u braktisen nga kuvendarë të LVV-së dhe disa të tjerë të partive të ndryshme, dhe në mungesë kuorumi kjo mbledhje nuk zhvilloi punimet e saj.

Shefi i GK të LVV, Karanfil Haxhillari, tha se arsyeja e braktisjes së kësaj seance ishte mungesa e drejtuesve më të lartë komunal dhe sidomos ekzekutivit, që sipas tij tregon mungesë respekti për kuvendarët dhe qytetarët, njofton tv Prizreni.

Ndërkaq, shefi i GK të PDK, Adrit Krasniqi, dhe kuvendari, Ertan Simitçi, kërkuan që të mbahet një takim nga kryesuesja e Kuvendit me shefat e grupeve të kuvendarëve dhe seanca të vazhdojë. Më pas, kryesuesja e Kuvendit, Antigona Bytyçi, zhvilloi një takim me shefat e grupeve të kuvendarëve, dhe pas një diskutimi çerek orësh, u vendos që kjo mbledhje të shtyhet për një ditë tjetër, njoftoi kryesuesja Bytyçi. Ndryshe, në këtë seanca ishte paraparë të shqyrtohen dhe miratohen 8 pika të rendit të ditës.

Asnjë koment

Comments are closed.