15-07-2024

Prizren: Vetëvendosje reagon për rrënimin e ish-Farmakosit: Krimi i Shaqir Totajt

Lëvizja Vetëvendosje në Prizren, përmes një komunikate për media ka reaguar pas rrënimit të objektit të ish-Farmakosit.

Në komunikatë thuhet se kryetari Shaqir Totaj, lejoi rrënimin e objektit të ish-Farmakosit, për t’i dhënë leje ndërtimore një biznesi privat, përkunder se ky komplek sipas IKMM-së është aset me status të mbrojtjes së përhershme nga muaji mars i vitit 2024.

KOMUNIKATA E PLOTË:

“Krimi i Shaqir Totaj”

– Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Prizren shpreh shqetësimin e saj në lidhje me veprimet e papërgjegjshme dhe jo ligjore të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili lejoi rrënimin e objektit të ish – Farmakosit, për ti dhënë leje ndërtimore një biznesi privat për ndërtimin e kompleksit banesor, saktësisht në hapësirat e tashmë ish – Farmakosit të rrënuar, që sipas IKMM – së është aset me status të mbrojtjes së përhershme nga muaji mars i vitit 2024. Për këtë, IKMM ka njoftuar se nuk ka dhënë pëlqim për rrënimin e objektit të ish – Farmakosit.

Ish – Farmakosi konsiderohej aset i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore, për këtë arsye e kishte fituar edhe statusin e mbrojtjes së përhershme, si vlerë e trashëgimisë kulturore në Komunën e Prizrenit.

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, i vetdijshëm se po bënë shkelje ligjore, për interesa të ngushta të dostave dhe shokëve të tij, lejoi rrënimin e një monumenti nën mbrojtje të përhershme!
Për këtë krim të kryetarit Totaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Prizren kërkon nga organet përgjegjëse që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme ligjore për këtë degradim e poshtërim që i është bërë trashëgimisë kulturore të qytetit të Prizrenit.
Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Prizren

Asnjë koment

Comments are closed.