27-07-2024

Vihet gurthemeli i stadiumit në Zhur të Prizrenit (foto)

Zhuri i Prizrenit do të bëhet me stadium të ri e modern. Ceremonia për gurthemelin e tij është vënë sot, në praninë e banorëve dhe të dashamirëve të sportit të kësaj ane shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi,  që mori pjesë ceremoninë  e ka vlerësuar këtë projekt të një rëndësie të veçantë për sportistët e Zhurit me rrethinë.

“Ka qenë ëndërr për sportistët e futbollistët e talentuar për këtë stadium. Është projekt që financohet me një pjesë të madhe nga ministria dhe me një participim nga Komuna e Prizrenit. Zhuri njihet edhe në të kaluarën që ka pasur një klub shumë të suksesshëm. Besoj që sot Zhurit dhe fshatrave përreth po ia krijojmë një mundësi të re”.

Në ceremoninë e organizuar morën pjesë edhe zyrtarët komunal të Prizrenit. Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka tha se projekti në fjalë është vonuar pak në aspektin e fillimit të punimeve për shkak të çështjeve pronësore.” Besoj që me ofrimin e mundësive për trajnime, do të kemi identifikim shumë më të hershëm të talenteve, ashtu që shqiptarët nëpërmjet këtyre stadiumeve të identifikojmë talent sa më herët, që të jenë shtylla e sportit jo vetëm në komunën e Prizrenit”, tha ai.

Zhuri njihet si një vendbanim me të rinj të shumtë dhe që ka pasur një klub shumë të suksesshëm, si Vëllazëria.  Tashmë ofrohet një mundësi dhe hapësirë, që edhe ky klub dhe të grup-moshat e reja të kenë një perspektivë shumë më të mirë në aspektin e sportit.

Ky projekt kapital vjen në kuadër të plotësimit të infrastrukturës sportive fizike në të cilin Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të investojë 700 mijë euro, ndërkaq Komuna e Prizrenit do të ndajë 200 mijë sosh.

Sipas dinamikës së paraparë, punimet në ndërtimin e këtij objekti sportiv pritet të kryhen deri në përfundim të vitit të ardhshëm.

Fotografia e Selim Zhuri

 

Asnjë koment

Comments are closed.