25-04-2024

A do të ndryshojë menaxhimi i drejtorive në qeverisjen e Haskukës?

Menaxhimi i dy drejtorive komunale në Prizren, asaj të Shëndetësisë dhe Mirëqenies sociale ka gjasë të ndërrojë.

Partnerët e koalicionit qeverisës në Prizren, Vetëvendosje! dhe LDK, siç njoftohet kanë nisur konsultat duke paraqitur ofertat. Burime të TV Prizreni, thonë se kohëve të fundit janë duke u zhvilluar bisedime intensive ndërmjet këtyre dy subjekteve politike, për “rokadë” në drejtimin e këtyre dy dikastereve të rëndësishëm.

Sipas këtyre burimeve, kryetari i degës së LDK-së, Haxhi Avdyli, gjatë bisedimeve me zyrtarë të LVV-së, ka kërkuar që drejtori aktual i Mirëqenies Social, Fejzë Kabashi, të emërohet drejtor i Shëndetësisë, ndërsa LVV-ja ende nuk ka ndonjë emër që mund të drejtonte drejtorinë e Mirëqenies Sociale, ndërsa postin e drejtimit të dikasterit të Shëndetësisë, do ta lëshonte drejtoresha aktuale, Flaka Siqeca.

Po sipas këtyre burimeve, një pjesë e LDK-së por dhe disa zyrtarë të LVV-së, janë të mendimit që nëse arrihet marrëveshje për këto ndryshime, në krye të drejtorisë së Shëndetësisë të vendoset një zyrtar tjetër i LDK-së, i cili merret me profesionin e mjekut,  e jo drejtori aktual i Mirëqenies Sociale.

Mirëpo, një gjë e tillë nuk ka gjetur mbështetje rreth njerëzve të cilët aktualisht e kanë në dorë LDK-në dhe vet kryetarin, Avdyli, thonë këto burime. Në anën tjetër, zyrtarë të LVV-së, thonë se për këtë çështje nuk kanë pasur takime me partnerin e koalicionit, si dhe nuk kanë diskutuar për një gjë të tillë me kryetarin e komunës, Mytaher Haskuka.

Ajo kishte kërkuar që ta ketë Drejtorinë e Bujqësisë e jo atë të Shëndetësisë.

LDK si pjesë e koalicionit në Prizren, mban edhe postin e nënkryetarit të Komunës, si dhe të drejtorisë së Urbanizmit./GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.