02-05-2024

A duhet Vetëvendosje, LDK e AAK në Prizren të distancohen nga kuvendarët “tyxharë”?!

E mërkura që shkoi tregoi gjendjen reale sa i përket forcës politike dhe rëndësisë së numrave në Kuvendin Komunal të Prizrenit (KK), që deri tash nuk e ka ndier qeverisja lokale e Prizrenit, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Dështimi i mbledhjes së rregullt për shkak të mosvotimit të rendit të ditës, tregon një situatë reale, kur anëtarët e Kuvendit të mos bëhen pjesë e zinxhirit votues, pavarësisht nevojës së pushtetit. Apo kjo ndoshta ndodhi për mungesë të papritur të përgatitjes së “shefave” ndërmjetësues për mbarëvajtjen e seancave, përkundër mungesës së numrave, por përmes joshjes personale të kuvendarëve, madje edhe me aso që kanë të bëjnë me punësime të tyre apo familjarëve.

Pa Kastritot Krasniqin e Bujar Hasanin, që tashmë kanë dalë të pavarur, PDK zyrtarisht i ka 8 nga 41 ulëse sa ka gjithsej KK. Partneri i saj i koalicionit, Nisma i ka dy, 1 asambleist e ka Vakat (Rasim Demiri) dhe 1 KDTP (Levent Buş), që në total bëjnë 12.

Situata e re në KK, është një sinjal, të cilin duhet ta lexojë qartë dhe korrekt opozita e Prizrenit, jo vetëm për ta fuqizuar rolin e saj tepër të zbehtë në Kuvend ( pos ndonjë aksioni të jashtëm të LDK-së dhe Kallëzimit penal të saj ndaj tre drejtorëve komunal). Kjo shkon edhe në të mirë të qytetarëve, meqë kësisoj mbahet i përgjegjshëm pushteti, të cilit tashmë kanë nisur t’i dridhen këmbët, meqë ka gjasë që këtë vit të mbahen zgjedhje qendrore,  ndërsa vitin e ardhshëm janë zgjedhjet lokale. Padyshim se gjendja në Kuvendin Komunal dhe qeverisjen lokale reflekton shumë, në rezultatin zgjedhor ku shprehet lirshëm vullneti votues.

Për këtë Vetëvendosje, LDK dhe AAK (në opozitë), për të qenë “fer” me veten dhe qytetarët, duhet t’i monitorojnë kuvendarët e tyre “tyxharë”, në rast të shitjes kundrejt votimit pro pushtetit. Ndaj kësaj duhet deklarim i qartë  publik i lidershipit, se do t’i largojnë  nga listat e ardhshme zgjedhore të gjitha “përfituesit personal”,  për ta përjashtuar mundësinë e reprizës së turpshme të tyxharllëkut.

Natyrisht se ka raste kur duhet votuar në interes të qytetarëve, dhe kjo pa përjashtim për të mirën e përgjithshme, ama në asnjë mënyrë të bëhet modë “shit-blerja” në Asamblenë lokale, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Për më keq, siç është parë “ shitja” është bërë për çmim të ultë, madje “Aksham Pazari”, siç thonë në Prizren, apo sa për një vend pune apo pozitë politike familjare?!

Kësaj praktike duhet dhënë fund sa më parë.

Në këtë drejtim duhet të luajnë rol edhe mediet, duke pasqyruar votimet e anëtarëve të Kuvendit, në rastet e veçanta. Edhe qytetarët duhet ta monitorojnë gjendjen për të parë se kush meriton dhe kush duhet larguar sa më parë nga organi më i pushtetshëm lokal.

Nga përvoja e kaluar ka dalë se pikërisht disa që i bënin favore ish-pushteteve, bëhen më të preferuarit e pushtetit në partinë e tyre. Pra, jo që s’ka pasur ndëshkim por shpërblim. Ku janë parimet?

Me këtë rast shtrohet pyetja, ai që “shitet” për interesa personale, çfarë rregullore apo vendimi mund t’i sjell komunës apo interesit publik?! /Gazeta e Prizrenit /

Lexo edhe:

Prokuroria e Apelit e pranon kallëzimin penal të LDK-së ndaj ish-drejtoreshës së Shaqir Totajt (Dokument)

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.