18-04-2024

A ishte sot jubileu i Çlirimit apo një ditë e zakonshme në Prizren?!

Prizreni me rrethinë sot ka shënuar 20-vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-së, ditë kjo që shënon edhe çlirimin e qytetit nga forcat ushtarake serbe.

Ndonëse ky është jubileu i dytë i një ngjarje ndër më të veçantat në historinë tonë, këtë ditë duhet ta karakterizonte një frymë shumë më festive sa sa ajo që është parë sot në qytet, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Këtë datë duhet ta ndjejnë dhe kremtojnë gjithsesi të gjithë qytetarët. Nga ajo që është parë, Prizrenin sot nuk e ka karakterizuar një ditë e veçantë feste,  ndërsa edhe dyqanet kanë punuar. Pra, mund të thuhet se kjo ditë është kujtuar si ditë pazari se sa kremte.

Ndonëse për këtë jubile në vendin tonë kanë ardhur personalitet më të rëndësishme amerikane,  që kontribuuan për lirinë e Kosovës, gjë që tregon për rëndësinë që ata ia kushtojnë kësaj ngjarje, ne këtu sikur kemi harruar atë çfarë përjetuam, para 20 vitesh.

Kjo festë, assesi nuk duhet të kalojë vetëm si ditë pushimit për institucionet publike. Për këtë duhet kujdesen organet kompetente. Atmosferën festive duhet ta vërejtën edhe mysafirët që ndodhen këtë ditë në qytet, sikur edhe veprohet në vendet tjera, të cilat mbase edhe përjetimet e luftërave i kanë shumë më të largëta e më të lehta, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.

Për me keq, në një atmosferë të zbehtë dukej edhe ceremonia në varrezat e dëshmorëve në Landovicë.  Pos tjerash aty është vërejtur pjesëmarrje e vogël, edhe e vetë familjarëve të dëshmorëve.

Fotografia e Komuna e Prizrenit

Pjesë e manifestimeve të ditës së sotme ishte edhe ceremonia para Muzeut të Luftës, ndërsa aty ra në sy ajo që ndër tjerë në këmbë u lanë të qëndrojnë edhe komandanti i Brigadës 125 të UÇK-së, Nehat Basha dhe komandanti i Batalionit të Kabashit, Lulzim Kabashi.

Shtrohet pyetja kush paska kontribuuar më shumë se veteranët, e që në këtë ditë merita kryesore u takon atyre.

Veç kësaj,  atyre nuk iu mundësua as para të pranishmëve të sjellin evokime për përjetimet e tyre, të cilat janë të rëndësishme në këtë ditë të rëndësishme për Prizrenin.

Për këtë shtrohet pyetja, nëse tërë kjo po bëhet me tendencë, pasi në çdo kush dhe në çdo formë tjetër të organizimit të këtyre ngjarjeve do të veprohej ndryshe. /GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.