A pritet LDK t’i bashkohet kabinetit të Shaqir Totajt në Prizren?!

Me 14 nëntor, në raundin e dytë të zgjedhjeve, Partia Demokratike e Kosovës arriti të fitojë Prizrenin me një diferencë të ngushtë me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.

Pas fitores dhe certifikimit të rezultatit zgjedhor tashmë kanë nisur negociatat dhe marrëveshjet midis subjekteve politike për të bashkëqeverisur.

“Gazeta Blic” nga burime të saj merr vesh se Nisma Socialdemokrate pritet të jetë pjesë e qeverisjes së re në Prizren.

“Pazari” tashmë thuajse është kryer ndërmjet PDK-së dhe Nismës në Prizreni dhe pritet vetëm zyrtarizmi. Tri drejtori do t`i ketë Nisma në Prizren, por ende nuk është vendosur se cilat do të jenë ato”, ka thënë ky burim i afërt me partinë që ka fituar zgjedhjet në këtë qytet” merr vesh ky burim i “Gazeta Blic”.

Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, si një nga subjektet e përfolura se ka mbështetur Shaqir Totajn në Prizren, nuk pritet t’i bashkohet kabinetit të tij.

“Gazeta Blic” ka kontaktuar me kryetarin e degës së LDK-së në Prizren, Anton Çuni, dhe e ka pyetur nëse kanë marrëveshje për të bashkëqeverisur me PDK-në, i njëjti ka mohuar kategorikisht mundësinë e një bashkëpunimi me këtë subjekt politik.

“Jo nuk ka marrëveshje” tha shkurt Çuni për “Gazeta Blic”

Në zgjedhjet e 14 nëntorit Shaqir Totaj e ka mundur Myhater Haksukën e Lëvizjes Vetëvendosje duke fituar 51.01 përqind apo 27 mijë e 17 vota.

Haskuka ishte i dytë me 48.99 përqind apo 25 mijë e 952 vota.

Lëvizja Vetëvendosje kishte bërë ankesë për rivotim në 23 vendvotime, por kjo kërkesë është hedhur poshte si e pabazë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).