Arrestime edhe në Shqipëri? Haga mund të lëshojë fletë arreste për burgjet e UÇK në Kukës dhe Has
Fletë arrestimet e prokurorit special Jack Smith për krime lufte mund të lëshohen edhe për shtetas shqiptarë me banim në Shqipëri.
“Për aq kohë sa gjatë luftës shteti shqiptarë lejoi ngritjen e burgjeve të UÇK në territorin e vet nga ku është vërtetuar se kanë ndodhur krime, atëherë me të gjitha gjasat prokurorët special do ti shtrijnë arrestimet e personave përgjegjës në Shqipëri” tha burimi diplomatik.
Në dokumentin e plotë të aktakuzës njohur si aneksi 3 publikuar dje nga Gjykata Speciale e Hagës krahas burgjeve të UÇK në territorin e Kosovës renditet edhe tre burgje në Kukës, Has dhe Cahan të Tropojës ku prokurorët thonë se janë konsumuar krime lufte.
Lexo edhe:
Alarmante: Tre të vdekur me Covid dhe 47 të infektuar gjatë 24 orëve në Prizren
Këto burgje në territorin shqiptarë krahas ushtarëve të UÇK ruheshin dhe nga qytetarë Shqiptarë prej zonave të veriut që iu bashkuan UÇK.
Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu thotë se nëse prokurorët do të duan të arrestojnë edhe shtetas shqiptarë atëherë do të jemi përpara skenarit të detyrimit të Shqipërisë për të pranuar zgjerimin e veprimit të kësaj gjykate edhe në territorin e republikën së Shqipërisë.
Ka të dhëna jo zyrtare, se prokurorët e Hagës kanë të administruar në dosjen hetimore edhe një vendim të Këshillit të Ministrave të qeverisë shqiptare në vitin 1998 firmosur nga të gjithë ministrat e asaj kohe për armatimin e UÇK dhe vënien në dispozicion të bazave për qëllime prapavije në Verilindje të Shqipërisë.
Kjo është edhe pjesa më problematike që e përfshin Shqipërinë në këtë hetim pasi me vendim qeverie të asaj kohe u lejuan lehtësi për UÇK e cila krahas marrjes të armatimit, kampeve stërvitore, ngriti edhe 3 burgje nga ku sipas prokurorëve nga keqtrajtimi humbën jetën disa persona. /Top Channel/