Arrestohet 28-vjeçarja në Malishevë, rrahu fëmijën e saj 3-vjeçar e më pas bashkëshortin

Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se e dyshuara (emër i njohur për redaksinë) u arrestua pasi u raportua në Polici nga bashkëshorti i saj, për dhunën që dyshohet se ka ushtruar ndaj fëmijës së tyre.

Këtë herë Sinjali mëson se fëmija që u rrah brutalisht nga nëna e tij është i moshës 3-vjeçare, i cili ka pësuar edhe lëndime trupore si pasojë e dhunës nga e ëma.

Por në këtë familje, nuk e pësoi vetëm fëmija, kjo pasi që e dyshuara ka sulmuar fizikisht edhe bashkëshortin e saj.

I frikësuar për situatën me të cilën është përballur dhe për të parandaluar më të keqen, babai viktimë ka vendosur që të kërkojë ndihmë nga Policia.

Si rezultat i raportimit të rastit, gruaja e dyshuar është shoqëruar në stacion policor, ku është përballur me denoncimin kundër saj.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj saj është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh për veprën penale “Dhunë në familje”.