25-04-2024

Banorët e Lugishtës së Hasit vullnetarisht po i mbulojnë gropat në rrugën e cila ndodhet në gjendje katastrofale

Banorët e Lugishtës së Hasit, për shkak të neglizhencës nga organet kompetente në rehabilitimin e rrugës Dedaj- Lugishtë, janë detyruar që vullnetarisht të ndërmarrin aksion për mbulimin e gropave në rrugën e cila ndodhet në gjendjen më të keqe të mundshme.

Lugishtasit, i ishin gëzuar fillimit të punimeve me datën 19 korrik të këtij viti në rehabilitimin e rrugës Dedaj- Lugishtë,në gjatësi 4.6 km, mirëpo përveç gërryerjes së asfaltit dhe prerjes në disa pjesë të rrugës, punimet ishin ndaluar tashmë dy muaj, thotë kryetari i këtij lokaliteti, Bekim Nerjovaj.

Për shkak të vështirësive të mëdha me të cilat po hasim rreth kësaj çështje, jemi detyruar që vullnetarisht t’i mbulojmë gropat në rrugën e dëmtuar, thotë ai. Një ndër banorët më aktiv për sanimin e gropave nëpër rrugë, është edhe i riu, Kemajl Gegollaj, për të cilin në këtë kohë të shfaqen shqetësime të këtilla me probleme infrastrukturore që vështirësojnë jetën e banorëve, janë të pakuptueshme.

Të shqetësuar tejmase janë edhe banorët tjerë dhe mërgimtarët, të cilët kërkojnë masa urgjente për rehabilitimin e kësaj rruge. Kryetari i fshatit, kërkon që organet kompetente komunale të marrin parasysh kërkesat e banorëve dhe të angazhohen në zgjidhjen e kësaj çështje, apo të tregojnë se nuk janë në gjendje që të veprojnë në shërbim të tyre dhe vet banorët të vazhdojnë mbulimin e gropave.

Lidhur me këtë çështje, ne kemi kontaktuar drejtorin e Shërbimeve Publike në Prizren, Levent Kasemi, i cili përmes telefonit tha se kompania e kontraktuar nga komuna aktualisht është duke punuar në një projekt për rehabilitimin e rrugës në fshatin Caparc, ndërsa porsa të përfundojë punimet atje do të angazhohet menjëherë në rehabilitimin e rrugës Dedaj- Lugishtë, tha ai përmes telefonit./tvprizreni.info/

Asnjë koment

Comments are closed.