18-05-2024

Besnik Krasniqi (AAK): Të patolerueshme veprimet e asamblistëve ‘’tyxharë’’

Kryetari i AAK-së në Prizren, Besnik Krasniqi e vlerëson si të pa tolerueshëm veprimin “tyxhar” të disa asambleistëve, që për interesa personale anashkalojnë qëndrimet partiake në Kuvendin Komunal (KK), duke votuar pro pushtetit, raporton Gazeta e Prizrenit.

AAK në Prizren, që ka dy kuvendarë në KK, nga fillimi i këtij viti është larguar nga qeverisja e Shaqir Totajt.

Dalja e saj nga koalicioni, duket se ia vështirësoi punën pushtetit, ndërsa këtë e tregoi edhe dështimi i seancës së javës së kaluar kur për shkak të mungesës së numrave të nevojshëm për votimin e rendit të ditës, mbledhja u ndërpre.

Kjo tregoi situatën reale të forcave politike në Kuvend, dersia kuvendarët e opozitës mbajtën qëndrim, duke prishur ‘traditën’ e zinxhirit votues pro  pushtetit, shkruan Gazeta e Prizrenit.

PDK që drejton qeverisjen lokale shkaku i kryetarit, zyrtarisht i ka 8 nga 41 ulëse sa ka gjithsej KK. Partneri i saj i koalicionit, Nisma i ka dy, ndërsa nga një asambleist e kanë Vakat (Rasim Demiri) dhe KDTP (Levent Buş), që në total bëjnë 12.

Përkundër kësaj brenga e opozitës është qëndrueshmëria kontinuale e kuvendarëve për t’ia pamundësuar qeverisjes së Totajt një komoditet përkundër mungesës së votave dhe perfomancës jo të mirë, të dalë edhe në raportin për vitin 2022 të Ministrisë së APL-së, por që ia ka arritur t’ia dalë përmes joshjes personale të kuvendarëve të partive tjera, madje edhe me aso që kanë të bëjnë me punësime të tyre apo familjarëve.

Veprimet e tilla për kryetarin e degës së AAK-së, Besnik Krasniqin janë të papranueshme. “Padyshim që votimi në dëm të qytetarit dhe në favor të individit është akt jomoral, dhe si i tillë është i pa tolerueshëm. Mund të themi se të dy asambleistët tanë, janë në linjë me qëndrimet e AAK-së, dega Prizren”, tha ai për portalin “Gazeta e Prizrenit”.

Edhe drejtues të degës së Vetëvendosjes, që përbën partinë më të madhe opozitare në Prizren, janë shprehur kundër qëndrimit të asamblistëve, të cilët votojnë sipas interesave personale.

Megjithatë kjo mbetet të shihet në mbledhjet e ardhme të KK-së, sikur është ajo e datës 9 shkurt. /Gazeta e Prizrenit

Lexo edhe:

Abrashi: Vetëvendosje parasheh masa deri te përjashtimi nga lista për kuvendarët “tyxharë”

Asnjë koment

Comments are closed.