26-04-2024

Çfarë ndodh me lojtarët dhe trajnerin e “Bashkimit” pas mbylljes së kampionatit?

Dersia “FIBA”, shtëpia më e madhe e basketbollit e ka uruar “Bashkimin” e Prizrenit për titullin Kampion!, për në shtëpitë e tyre janë kthyer basketbollistët e huaj,  ndërsa vendasit, përjashtuar ndonjë rast do të vazhdojnë të jenë pjesë e ekipit, por e tëra varet nga trajneri aktual, për të cilin ka dy opsione, transmeton sot “Gazeta e Prizrenit.net”.

Suksesi i arritur, të mërkurën që shkoi, pasi fitoi titullin e kampionit të Kosovës në basketboll, ka bërë që “Bashkimi” të jetë në qendër të vëmendjes jo vetëm në Kosovë, por edhe në organizmat ndërkombëtar të këtij sporti.

FIBA urimin e saj për klubin prizrenas e ka bërë në faqen e saj zyrtare.  “Klubi me bazë në Prizren bëri histori duke kurorëzuar një fitore 3-1 me një triumf 77-61 në ndeshjen e 4-të në shtëpinë e tyre, duke u bërë klubi i gjashtë i ndryshëm në historinë e ligës që fiton trofeun”, thuhet ndër të tjera në urimin e FIBA.

Me këtë rast janë publikuar edhe fotografi nga ndeshja finale, në të cilin prizrenasit mundën Prishtinën.

Kryetari i KB “Bashkimi”, Shaqir Totaj ka thënë se pas përfundimit të kampionatit, lojtarët e huaj tashmë veç janë kthyer në vendin e tyre, ndërsa vendasit, përjashtuar ndonjë rast do të mbeten. “Kjo do të jetë punë e trajnerit. Trajneri i vjetër është përsëri në opsion, por kemi edhe të tjera variante”, tha ai për portalin “Gazeta e Prizrenit.net”.

Tashmë nga Prizreni janë larguar basketbollistët amerikanë: Aaron Moos, Vincent Zollo dhe Frederic  Stutz. “Të gjithë kanë kontribuuar për suksesin e arritur,  por Moos ka qenë i veçuar”, tha Totaj.

Në ndeshjen finale në të cilën “Bashkimi” fitoi titullin e kampionit ka pasur një interesim të madh të tifozëve. Për lojën janë shitur mbi 2.000 bileta, gjysma sosh për vetëm 37 minuta.

Drejtuesit e klubit, thanë se titulli i fituar ia mundëson Bashkimit, që  në sezonin e ardhshëm të ketë të drejtë pjesëmarrjeje në Ligen e Kampioneve ose në “FIBA Euro Cup”. Por, kjo nëse arrihet të sigurohet buxhet, do të jetë një e arritur për sportin prizrenas.

Për të qenë pjesë e tyre, zyrtarët thonë se duhet buxhet 3 – 4 herë më i madh sa aktualisht ka klubi, por ata nuk preferojnë të përmendin ndonjë shifër konkretete./GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.