Çfarë po ndodh me konkursin e stërzgjatur për drejtorë shkollash në Prizren?

Konkursi për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë shkollash në Prizren, po paraqet një sfidë të vërtetë për qeverisjen aktuale, të drejtuar nga Vetëvendosje!, dhe partnerët e saj në koalicion: LDK, Nisma Socialdemokrate dhe partitë e komunitetit turk e boshnjak, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Tashmë mund të flitet për një proces maratonik të përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave, që ka nisur qysh në maj, duke kaluar në tri konkurse, dy prej të cilëve të anuluar dhe në këtë të tretin, që ndodhet në fund të afatit ligjor, kur duhet vendosur.

Në këtë rast kujtojmë edhe një paralajmërim të kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka, të datës 28 gusht, kur në profilin e tij zyrtar të “facebokut” pasi ka treguar rreth procesit të intervistimit të konkurrentëve për drejtorë,  ndër të tjera ka shkruar: “Kjo fazë e intervistimeve përfundon të premten, ndërsa rezultatet e tyre do publikohen gjatë javës së ardhshme”.

Referuar këtij deklarimi, del se emrat e drejtorëve të përzgjedhur është dashur të publikoheshin pikërisht në javën e parë të vitit të ri shkollor. Por, përkundër që tashmë jemi në javën e tretë të mësimit, jo që rezultatet nuk u shpallen, por nuk ka asnjë njoftim tjetër nga kryetari.

Mospublikimi i rezultateve, tashmë kur kanë kaluar disa ditë nga përmbyllja e procesit të ri të intervistimit, po demanton edhe deklarimet e autoriteteve lokale, përfshirë edhe vet kryetarin Haskuka, si  dhe drejtorin për Arsim Skënder Susuri, të cilët kishin premtuar azhuritet sa i përket procesit të përzgjedhjes.

Madje në konkursin e fundit, Haskuka paralajmëroi masa shtesë në përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave. Në këtë kontekst përmendi ‘shtimin e monitoruesve të pavarur dhe kredibil nga shoqëria civile,  dhe  që Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar do të ofronte asistencë në këtë drejtim”.

Paralajmërimet e fillimit po dalin ndryshe, pasi end nuk ka ndonjë informacion se çfarë po ndodh. Kjo, ndërkaq ka shkaktuar spekulime të ndryshme nëpër shkolla dhe në opinionin tjetër arsimor e politik në Prizren. Njëri nga konkurrentët për drejtor, emri i të cilit ndodhej në listën e parë të të përzgjedhurve, me kusht anonimiteti, ka thënë se një zhagitje e tillë kaq e gjatë, pothuajse e ka demotivuar, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Njohës të rrethanave në shkolla flasin se zhagitja po ndodh pasi ende nuk ka një pajtim rreth emrave për drejtorë nga “hisedarët” në qeverisjen lokale.

Në anën tjetër, mësimdhënësit tregojnë se si rrjedhojë e mos emërimit të drejtorëve të rinj, në disa shkolla po paraqiten vështirësi. Në këtë kontekst shtrohet pyetja, sa janë të motivuar drejtorët aktual për t’i kryer detyrat e tyre kur ende nuk dihen rezultatet e konkursit, ndërsa disa sosh kanë konkurruar vetëm sa për të thënë, apo si shprehje e interesit për të vazhduar punën në arsim?

Zhagitja e konkursit shkakton edhe probleme tjera. Disa drejtorë aktual që do të hiqen, mbeten pa norma, tashmë kur procesi ka nisur dhe është bërë ndarja e orëve nëpër shkolla, që paraqet  edhe një vështirësi për sistemimin e tyre.

Burime të afërta me procesin e përzgjedhjes së drejtorëve, ndërkaq kanë thënë se tashmë Haskuka i ka emrat e drejtorëve, por që nuk dihet koha e publikimit të tyre.

“GazetaePrizrenit”, në një shkrim editorial të saj, që në muajin maj ka shkruar se pikërisht konkursi për drejtorë është testi i madh për kryetarin Haskuka, që ndër të tjera kishte premtuar depolitizimin e shkollave, duke sjellë menaxherë të dëshmuar profesional e jo militantë partiak. /GazetaePrizrenit.net/

Lexoni edhe:

https://gazetaeprizrenit.net/2018/05/22/testi-i-madh-per-kryetarin-haskuka/