25-11-2024

Diabetikët e Prizrenit nuk marrin as gjysmën e insulinës nga shteti

Në pjesën e parë të këtij viti në Prizren, pothuajse ka munguar më shumë se gjysma e insulinave, ilaçe këto të domosdoshme për personat që vuajnë nga diabeti, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Kjo ka detyruar afër 1.750 pacientët, të cilët vuajnë nga sëmundja e sheqerit që më shumë se 50 % të këtyre barnave t’i sigurojnë nga xhepi i tyre, ndonëse shumica jetojnë në kushte të rënda ekonomike.

Insulina është ilaçi prej të cilit edhe varet jeta e personave, që vuajnë nga shkalla e lartë e sheqerit në gjak.

Përderisa shumica e pacientëve që takuam hezituan ta tregojnë emrin duke mos dashur të identifikohen nga frika se ky raport mund t’ua prish marrëdhëniet me punonjësit, të cilët shpërndajnë insulinat, njëri prej tyre, Ali Krasniqi nga Prizreni, tregon se rregullisht vjen për të kërkuar insulinën për babën e tij,  por këtë vit më shumë i ka ndodhur të kthehet vetëm me dy lapsa, ndërsa për ta siguruar detyrohet të paguajë deri 60 euro në muaj.  Ai thotë se ardhurat e tij, si punëtor ndërtimtarie janë të ulëta për të mbuluar nevojat familjare, e lërë më që nga to të ndajë dhe për sigurimin e insulinës.

Image result for insulina

Furnizimi me ilaçe bëhet nga Ministria për Shëndetësi. Drejtues të QKMF në Prizren, ku edhe bëhet shpërndarja e insulinës për komunën e Prizrenit, thanë se pacientët e regjistruar marrin nga 4 -5 lapse të insulinës, gjatë një muaji, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Dr. Mehmedali Gashi, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren, pranon  se gjatë  7 muajve të këtij viti kanë pasur mangësi jo vetëm në sasi, por edhe në një furnizim të parregullt,  por që këtë muaj, paska ka filluar një furnizim më i mirë.

“Nëse shprehemi me përqindje, mesatarisht nga fillimi i vitit ka pasur diçka më pak se 50 për qind të furnizimit të nevojshëm. Për këtë edhe kemi pasur ankesa nga qytetarët”, tha ai

Gashi, tha se mungesat më të mëdha janë për insulinën e quajtur “Novomiks”, që në treg ka çmim të shtrenjtë dhe kjo rëndon edhe xhepin e qytetarëve. /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.