26-04-2024

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve e gjen Prizrenin me shumë të papunë

1 Maji, që njihet si Dita e Punëtorëve,  shpesh sikur në Kosovë edhe në Prizren kalohet si një ditë pushimi e feste, ndonëse është ditë proteste për të drejtat e punonjësve.

Jo vetëm tash në kohë pandemie, por edhe gjatë viteve të fundit kjo ditë pothuajse e ka humbur simbolikën, duke u rikthyer në një ditë pushimi, kryesisht për punonjësit në sektorin publik, pasi në atë privat jo të gjithë e bëjnë pushim.

Edhe kjo ditë e gjen Prizrenin dhe komunat përreth me një numër bukur të madh të të papunëve, një pjesë e të cilëve janë të rinj, që pasi kanë mbaruar shkollimin, presin të gjejnë punë, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Në Qendrën rajonale për Punësim në Prizren, si të papunë zyrtarisht janë të paraqitur rreth 2o mijë persona.  Por, dihet se numri i të papunëve është edhe më i madh pasi disa persona, fare nuk lajmërohen në këto zyra, pasi nuk shpresojnë, që përmes kësaj forme të sigurojnë ndonjë vend pune.

Numrin e të papunëve ndërkaq e ka rritur edhe në shumë pandemia. Derisa kryetari i AKB-së Agim Shahini ka deklaruar se sipas raportit që ata posedojnë, në të gjithë Kosovën janë mbyllur mbi 20 mijë operatorë ekonomikë dhe kanë mbetur të papunë mbi 50 mijë persona, për Prizrenin nuk është publikuar ndonjë raport.

Pjesën me të madhe të punëkërkuesve e përbëjnë të rinjtë, gjegjësisht grup mosha nga 25 deri në 39 vjeç, apo rreth 40 për qind e numrit të regjistruar. Në mesin e punëkërkuesve tashmë ka persona edhe me kualifikim superior.

Prizrenasit i konsiderojnë vitet e fundit, si gjithnjë e më të vështira për të gjetur një vend pune, duke thënë se kjo po i detyron familjet e tyre të përballen me mungesën e kushteve elementare.

Procesi i privatizimit për të cilin shpresohej se mund të vinte në lëvizje makineritë e fabrikave, nuk dha ndonjë shenjë shprese, e disa e vlerësuan edhe si proces të dështuar, pasi fabrikat u shndërruan në markete, hotele, depo, apo në vend të tyre u ngritën edhe ndërtesa afaristo-banesore. /GazetaePrizrenit.net

 

Asnjë koment

Comments are closed.