Dorëzohet kryetari Mytaher Haskuka

Mbledhja e jashtëzakonshme  e Kuvendit Komunal (KK) të Prizrenit, kushtuar gjendjes së rënduar në arsim dhe deklarimet e kuvendarëve, në fillim të kësaj jave nxorën në pah shumë probleme, por edhe shkelje në njërin nga sektorët më të ndjeshëm, prej të cilit edhe varet arsimimi i gjeneratave.

Gjatë mbledhjes opozita ka hedhur kritika të shumta ndaj pushtetit për siç ka thënë konkurse të papërfunduara, derisa shumica e shkollave janë me ushtrues detyre të drejtorit e zëvendësdrejtorit, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Përfaqësuesit e dy partive opozitare, Nismës dhe të AAK-së, ndërkaq në Kuvend kanë deklaruar se kjo gjendje është, pasi për arsimin nuk vendos drejtoresha e DKA-së,  Xhemile Vezgishi, por vendimet servohen nga jashtë zyrave të Drejtorisë së Arsimit,  në “kafiteri dhe nga një barakë” prapa DKA-së.

Në anën tjetër, përkundër që kryetari Mytaher Haskuka, po deklaron se gjendja në arsimin prizrenas nuk ka qenë kurrë më e mirë, ai në njëfarë forme me rastin e konfirmimit të pozicionit të Skënder Susurit (që ishte shkarkuar me kërkesë të partisë së tij Nisma), ka pranuar pohimet e opozitës.

Pas presionit publik dhe reagimit opozitar,  për rolin e ish-drejtorit të larguar Skënder Susurit në DKA,  në një konferencë shtypi, Haskuka zyrtarisht ka pranuar rikthimin e Susurit në Drejtorinë e Arsimit në Prizren, por tash në pozitën e koordinatorit dhe mbikëqyrësit të projekteve me OJQ-të. Ai ka thënë se Susuri punon nga zyra në qendrën psikologjike-pedagogjike.

Ndonëse opozita në Prizren, prej kohësh ka deklaruar se Haskuka vazhdon ta mbajë afër Susurin e shkarkuar,  duke përmendur si fakt rastin e një përurimi në fshatin Mushnikovë,  ku pa ndonjë pozitë në foltore para të pranishmëve, ai kishte premtuar projekte të reja, Haskuka kishte heshtur.

Pra, kësisoj del se Susuri ‘de fakto’ është drejtor në hije i Arsimit në komunën e Prizrenit.

Kjo tregon se Haksuka sigurisht se do ta ndërronte drejtoreshën aktuale të DKA-së me Susurin, por që ky i fundit, 5 muaj më parë është dënuar nga Gjykata e Prizrenit, për shkak të veprës penale cenim i të drejtave të punësimit (mosshpallje e konkursit publik për mësimdhënës v.j).

Një manovrim  i tillë i Haskukës , gjoja për të përmirësuar gjendjen në arsim, do të rezultojë pa suksese, pasi këta janë akterë të shpenzuar.

Arsimi, do të jetë ai që do ta bëjë Haskukën të mbahet mend për qeverisjen e tij, pasi për dy vjet e gjysmë, janë ndërruar tre drejtorë të këtij sektori, të cilin aktualisht e mban një drejtoreshë, që sipas opozitës nuk e ka mbajtur asnjë orë mësimi.

Mbase, kryetari prizrenas i cili për herë të parë ka zbatuar një model të ri të qeverisjes, duke importuar drejtorë nga Prishtina, ai edhe në këtë rast mund ta merr një drejtor për Arsim.

Ndonëse kjo shumëkujt i duket si injoruese, e tillë është gjendja reale,  pasi jo që në Prizren nuk ka njerëz profesional e të denjë për të drejtuar arsimin,  por si duket asnjëri nuk është i gatshëm ta marrë mbi vete këtë barrë,  për ta udhëhequr një sektor të rëndësishëm komunal, në gjendjen çfarë e ka katandisur qeverisja aktuale e Prizrenit. / GazetaePrizrenit.net /