Familja katëranëtarëshe nga Prizreni rrezikon të jetojë nën qiellin e hapur

Marrëveshja mes kompanisë së hekurudhave “Infrakoss” dhe Komunës së Prizrenit, e arritur më 10 shtator 2018, tashmë ka futur në siklet të madh familjen e Mirvete Gigollaj, nënë e dy djemve të vegjël dhe burrit të sëmurë, sepse më 12 shtator kanë shkruar zyrtarë të kompanisë hekurudhave dhe i kanë thënë se duhet të lirojë shtëpinë sa më parë, sepse tashmë nga 17 shtatori fillon lirimi i uzurpimeve në trasenë e hekurudhave, Ajo qan dhe pohon se nuk ka ku të shkojë pos nën qiellin e hapur. Ajo mendon se dikush nga lexuesit e gazetës do ta ndihmojë këtë familje.”Kur kam dalë në gazetë më herët njerëzit nuk më kanë lënë pa bukë e pa ushqim. Por tash besoj se ata do të kenë mundësi të më ndihmojnë disi që të bëjë një zgjidhe për një kulm mbi krye, ose ndryshe mua dhe krejt familjes tonë nuk i ka mbetur tjetër rrugë veç të mbetemi krejt në lumë”, është shprehur për gazetën “Kosova Sot” Mirvete Gigollaj.

Familja e Mirvetes rrezikon të jetojë nën qiellin e hapur

Nga lagështia po i sëmuren fëmijët

Mirvetja tregon se vetë nuk ka mundësi t’u blejë rroba fëmijëve të saj, por vetëm kur u falin të tjerët. Ajo thekson për “Kosova Sot” se tash edhe ushqimi ditor është bërë problem për këtë familje. Ajo ka në dispozicion numrin e saj të telefonit 044 683 772 dhe gjithë ata që kanë mundësi ta ndihmojnë këtë familje mund të thërrasin në këtë numër. Ajo, pos lotëve, pohon se këtë siklet e ka se do ta përzënë nga shtëpia, por edhe nëse nuk ndodh ankohet se lagështia në shtëpi po ia sëmur fëmijët. Ajo me familje jeton me vetëm 75 euro që i merr ndihmë sociale, dhe vështirë se sot jetohet.

Fëmijët po rriten në varfëri

Mezi i dalin ilaçet për të birin dhe bashkëshortin. E vetmja shpresë e saj është që ta ndihmojë dikush e të mos e lërë në varfëri. Thotë se nuk mund të dalë në “selamet” po qe se nuk ndihmohet. Mirvetja më pak e ka hallin e saj dhe të burrit, por më shumë të fëmijëve, të cilët po rriten në varfëri. Pos lotëve dhe falënderimeve pa fund ajo nuk ka asgjë tjetër. “Më vjen tepër keq e rëndë që këtë hall e siklet timin po e shpërfaq sot. Tash edhe fëmijët e kanë kuptuar dhe ata nuk shkuan as në shkollë por filluan që të qajnë se çdo të bëhet me ne. Vaji i djemve rridhte pa pushim. Bile ky i diti është i sëmurë rëndë nga astma. Besoni se më ka detyruar ta mendoj më të keqen, por po besoj se ende ka njerëz humanitarë e ndoshta ma bëjnë një zgjidhje”, shprehet Mirvetja për gazetën “Kosova Sot”