19-04-2024

Fundjava e disfatës në sportin e Prizrenit, sinjal për përgjegjësi menaxheriale

Fundjava që shkoi është karakterizuar me disfata për klubet e Prizrenit. Humbjet në futboll dhe basketboll kanë qenë vendimtare, apo pikëkthesa për Lirinë dhe skuadrat e meshkujve dhe femrave të Bashkimit.

Humbja në Mitrovicë, pothuajse e ka fundosur Lirinë që po lufton për ekzistencë në Superligën e futbollit. Rezultatet e dobëta të treguara gjatë këtij kampionati e sidomos së fundi,  nuk japin shpresë së për ndonjë kthim pozitiv, që do të shpëtonte klubin me traditë nga më e keqja, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.

Pra, Liria pothuajse me te dy këmbët ndodhet në një rang me të ultë garash, pasi ndodhet në pozitën e parafundit në tabelë me vetëm 25 pikë të tubuara, apo 7 më pak se Flamurtari, që është para saj në vendin e 10-të, por ka një ndeshje më pak.

Fundjava e pafat ishte edhe për ekipin e vashave të Bashkimit në basketboll. Ata humbën në Prizren, në serinë e pestë nga Prishtina, në kuadër të finales së “Play Off-it” në Superligën e femrave, dhe për këtë ndonëse luanin në terrenin e tyre, nuk arritën ta fitojnë titullin e kampionit,  të cilin e mbanin nga viti i kaluar, kur e kishin mundur pikërisht Prishtinën.

Humbje po ashtu ka shënuar edhe ekipi i meshkujve të Bashkimit, që edhe ky luajti në Prizren me Prishtinën, në kuadër të serisë së tretë në gjysmëfinalen e “play-offit”, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.

As ky ekip sivjet nuk arriti ta ruaj titullin kampion, të ftuar nga viti i kaluar.

Rezultatet e tilla janë një sinjal se diçka nuk po shkon në sportin prizrenas dhe për këtë kërkohet përgjegjësi menaxheriale. /GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.