24-11-2024

Gashi: VV-ja ka nepotizëm e korrupsion të skajshëm, LDK-ja s’mund të shtyjë procese përpara

Ish-ministri i MKRS-së nga radhët e PDK-së, Kujtim Gashi ka thënë se Vetëvendosje ka nepotizëm e korrupsion të skajshëm, gjersa thekson se kjo parti s’do të mund ta luftojë korrupsionin.

Sipas tij partia me më së paku rast të nepotizmit e korrupsionit është PDK-ja, dhe vetëm ajo mund ta luftojë këtë dukuri.

“Ne kemi më së paku raste. Të gjithë e dimë se të gjithë merren me PDK-në, ne s’e kemi asnjë rast të afërt me partinë tonë. Vetëvendosje ka edhe nepotizëm edhe korrupsion të skajshëm, shikoni se çfarë kanë bërë me Prizrenin. Më së paku ka të punësuar nga PDK-ja, madje edhe se opozita. Edhe subjekti i Vetëvendosjes nuk është i gatshëm me u marrë me luftimin e korrupsionit. Të vetmit që mund ta bëjnë këtë jemi ne, dhe do ta bëjmë pas 6 tetorit me kryeministër Kadri Veseli”, ka deklaruar Gashi në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka shtuar se mbi të gjitha PDK-ja është e vendosur që në Kosovë të fitojë fuqishëm në këto zgjedhje.

E sipas tij as LDK-ja s’mund të shtyjë procese përpara.

“LDK-ja është subjekt politik që s’mundet me e shty asnjë proces përpara. E në anën tjetër e kemi një komandant që u dorëzua ende pa u bërë 2 vjet. Tani jemi të vendosur që shtetin me e udhëheq ne”, ka thënë Gashi.

Tutje Gashi ka folur edhe për vijat e kuqe të rivalëve politikë, që sipas tij do të bëhen të gjelbra pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Kjo çështja e vijave të kuqe me datën 7 tetor bëhen vija të gjelbra, jam i bindur se më pas do të dorëzojnë edhe emisar për të na lutur që të bëjmë koalicion. Këta po e përdorin vetëm për fushatë, e kjo po na bënë hajër”, ka thënë ai.

Gashi shtoi se, “të gjitha anketat tregojnë se ne jemi bindshëm të parët. E pse jemi të parët e dimë, pasi jemi çdo ditë në terren”.

Gashi ka theksuar se Osmani s’ka fuqi për të udhëhequr qeverinë.

“Vjosa Osmani s’ka mundur të fitojë si kryetare e LDK-së, e s’ka fuqi as të udhëheqë qeverinë. LDK-ja asnjëherë nuk ka qenë e gatshme t’i zbulojë se kush i ka vrarë njerëzit e saj paslufte”, u shpreh Gashi. “LDK-ja do të jetë në opozitë derisa ka shtuar se do e marrin në Qeveri nëse ata mendojnë që iu nevojitet”.

Në LDK vendosin pleqtë, të rinjtë shfrytëzohen për raste të caktuara

Ai tutje ka shtuar se në LDK, fryma e re shfrytëzohet në raste të caktuara, por thotë se aty marrin vendime “pleqtë”.

“LDK nuk mund të flas për korrupsion. I vetmi subjekt që mund ta luftojë korrupsionin është PDK-ja”, ka thënë ai.

Duke folur për paktin kundër korrupsionit të propozuar nga PDK-ja, ai ka thënë se Veseli ka dashur që një pakt i tillë të jetë pjesë e të gjitha partive, kushdo që vjen në pushtet.

Gashi thotë se për më pak se dy vjet kanë transformuar infrastrukturën sportive në gjithë Kosovën.

Ai tutje ka shtuar se personat të cilët kanë probleme me ligjin nuk janë pjesë e vendimmarrjes në parti.

“Kryetari Veseli e ka marrë një vendim për distancim me të gjithë ata që kanë probleme me ligjin dhe derisa ata hetohen nga drejtësia nuk do të jenë pjesë e listës dhe as pjesë e vendimmarrjes. Nëse kryetari Xhemajli dhe të gjithë të tjerët do të lirohen nga aktakuzat do të jenë pjesë e partisë”, ka thënë ai.

Asnjë koment

Comments are closed.