24-11-2024

Gjykimi për vrasjen e Skënder Limajt, Prokuroria Speciale s’po e kupton aktgjykimin e Supremes

Sot pritet të vazhdojë rigjykimi ndaj Emin Krasniqit, që po akuzohet për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe të lëndimit të rëndë trupor.

Sipas aktakuzës, pas disa mosmarrëveshjeve paraprake me familjen Limaj, Emin Krasniqi në bashkëkryerje me 4 anëtarë të familjes Krasniqi kishin kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe shkaktimit të lëndimeve të rënda trupore, raporton KALLXO.com.

Seanca e datës 14 dhjetor ishte e paraparë për të filluar rigjykimin, por e njëjta nuk vazhdoi gjatë, pasi që kishte shumë mosmarrëveshje ndërmjet avokatëve dhe Prokurorisë Speciale.

Mbrojtësi i të akuzuarit Emin Krasniqi, avokati Florim Vërtopi, Prokurorinë Speciale e akuzoi për neglizhencë, joprofesionalizëm dhe joseriozitet në rastin e klientit të tij.

KALLXO.com raporton se avokati Vërtopi ankesat e tij ia paraqiti kryetarës së trupit gjykues Raima Elezi.

I njëjti kishte deklaruar se “prokurori i tanishëm, Enver Krasniqi, është prokurori i 4-të që po ndërrohet në këtë çështje, dhe duke marrë parasysh volumin e jashtëzakonshëm të lëndës, që ka rreth 5.000 faqe, Prokuroria Speciale është duke treguar një joseriozitet jashtëzakonisht të madh”.

Por ankesat e avokatit Vërtopi nuk është se i linin fort përshtypje Prokurorisë Speciale, pasi që prokurori nuk shfaqi interes për të kundërshtuar deklarimet e avokatit.

Avokati kishte theksuar faktin se e gjithë kjo neglizhencë nga ana e Prokurorisë Speciale është duke i krijuar trupit gjykues dhe komplet procedurës ngarkesa të cilat e dëmtojnë komplet sistemin e drejtësisë, “e në veçanti janë duke i bërë dëm të mbrojturit tim Emin Krasniqi, i cili është që 8 vite në paraburgim e të cilit i është dëmtuar shëndeti, i është shkatërruar biznesi familjar, si dhe më e çmuara familja”.

Kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi, në një seancë të mëhershme, kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale, precizimin e aktakuzës, por prokurori i rastit Enver Krasniqi në seancën e datës 14 dhjetor kishte deklaraur se ”konsiderojmë se sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, çështja penale duhet filluar nga fillimi dhe sipas aktakuzës të datës 2014”, raporton KALLXO.com.

Prokurori nga radhët e Prokurorisë Speciale, Enver Krasniqi, i kishte propozuar trupit gjykues që ”meqë kemi dilema sa i përket se cilit të pandehur i referohet aktgjykimi i Gjykatës Supreme, i propozoj Gjykatës që duke u bazuar në dispozitat ligjore, të kërkojmë nga Gjykata Supreme interpretimin e dispozitivit të aktgjykimit”.

Por kundërshtime kishin pasur avokati Florim Vërtopi dhe avokati Shemsedin Piraj që të dy mbrojtës të të akuzuarit Emin Krasniqi, të cilët i kishin shfaqur paknaqësitë e tyre drejt Prokurorisë Speciale, për joprofesionalizëm dhe joseriozitet.

Kundërshtimiet e mbrojtësve, avokati Vërtopi i kishte arsyetuar duke vënë në dukje faktin se “tani jemi në fazën kur prokurori duhet të veprojë me aktakuzë përndryshe trupi gjykues nëse nuk ka aktakuzë të ndryshuar në harmoni me vendimet e Gjykatës Supreme, atëherë Gjykata do të vijë në pamundësi për të gjykuar këtë çështje penale juridike”, sepse sipas avokatit Vërtopi Gjykata nuk i ngrit aktakuzat por i gjykon ato, ” konsideroi se propozimi i prokurorit për interpretim të aktgjykimit të Gjykatës Supreme nuk duhet pranuar por duhet të lëshohet urdhër përmes të cilit do të lejohet një afat i caktuar e i arsyeshëm, që të precizoj aktakuzën Prokuroria Speciale, përndryshe nëse nuk e bën këtë atëherë pasojat do të jenë evidente”.

Pasi që të gjithë palët kishin dhënë deklarimet e tyre, e pas të gjitha kundërshtimeve dhe vërejtjeve nga mbrojtësit, trupi gjykues i përbërë nga Raima Elezi kryetare dhe Vjollca Buzhala e Nazim Vllaço anëtarë, kishin vendosur që prokurori të kërkojë sqarime dhe jo interpretim nga Gjykata Supreme, e brenda afatit 15 ditor të njoftonte trupin gjykues për rezultatin.

Kallxo.com raporton se për sot është e caktuar data për seancën e radhës, ku pritet të mësohet vendimi apo veprimet e Prokurorisë, ashtu që edhe të vazhdojë sipas procedurave rigjykimi i rastit.

Asnjë koment

Comments are closed.