Haskuka heq kureshtjen për banesat e ndërtuara tek Hekurudha në Prizren

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka hequr kureshtjen sa i përket fatit të objekteve afaristo-banesore, pas fillimit të aksionit për lirimin e pronës së hekurudhës në Prizren, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.

Inspektorati në Prizren në bashkëpunim me zyrtarët e Infrakosit, një ditë më parë nisën një aksion për lirimin e pronës së hekurudhës. Kjo nismë është thënë se bëhet në zbatim të pikës 11 të marrëveshjes për lirimin e hapësirave të uzurpuara që janë në pronësi të Infrakosit, që menaxhon me pronat e hekurdhës.

Aksioni ka filluar nga stacioni hekurudhor në Prizren dhe do të vazhdojë deri në lirimin e gjithë trasesë hekurudhore brenda zonës katastrale të komunës të Prizrenit.

Fotografia e Mytaher Haskuka

Sipas zyrtarëve, pronarët e objekteve në brezin e hekurudhës paraprakisht janë njoftuar me vendimin për t’i liruar vetë ato hapësira.

Kryetari Haskuka në profilin e tij zyrtar në “facebook” ka shkruar se ndërhyrjet e Inspektoratit në këtë zonë po bëhen vetëm për rastet ku ka ndërtime në pronën e Hekurudhës.

“Sa i përket ndërtimeve të larta, shumica prej tyre janë bërë jashtë pronës së “Infrakos-it” dhe nuk do të bëhen ndërhyrje në to, por për këto ndërtime qeverisja e kaluar ka lëshuar leje në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat”, ka shkruar ai përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Komuna e Prizrenit për më shumë se gjashtë muaj nuk ka mundur të lëshojë leje ndërtimore, si pasojë e vendimit gjyqësor që kishte të bënte me uzurpimin e pronave të Hekurudhës, gjegjësisht ndërtim në brezin e saj pa bazë ligjore.

Për ta zhbllokuar këtë vendim gjyqësor, Komuna arriti të bëjë marrëveshje me ndërmarrjen “Infrakos”, e cila i menaxhon hekurudhat, duke u obliguar që së bashku me ekipin e tyre në terren të bëjë lirimin e trasesë së hekurudhës.

“Siç jeni njoftuar, disa ish-drejtorë të ekzekutivit të kaluar dhe zyrtarë të tjerë të Komunës së Prizrenit, janë duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Prizren me dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje, me lejet e lëshuara për ndërtimet në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat”, ka shkruar Haskuka./GazetaePrizrenit.net/