18-04-2024

Haskuka propozon teleferik për në Cvilen

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka shfaqur idenë e ndërtimit të një teleferiku për në Cylen, ndërsa projekti të realizohet në formën e partneritetit publiko-privat.

Haskuka ka deklaruar kështu, në një emision të TV Prizrenit, duke sqaruar se projekti do të bëhet i qasshëm për qytetarët,  në formë të ngjashme sikurse teleferiku i Dajtit në Tiranë, që është një mundësi e mirë për të rritur numrin e turistëve.

“Mund të jetë një stacion mbrapa Kalasë diku te Pasha çeshmja”, për ata që dëshirojnë të zbresin për të vizituar kalanë. Ky duhet të jetë një teleferik më pak i kushtueshëm , i cili duhet të përdoret nga njerëzit, dhe që ia rritë vlerën Prizrenit, pasi ai i mëparshmi do ta bënte të kundërtën”, ka thënë ai.

Sipas Haskukës, teleferiku  do të jetë për nevoja të qytetarëve, e jo për të bërë ndonjë restorant, ndërsa e tëra do të diskutohet me operatorë turistik, përfaqësues të urbanizmit, arkitekturë dhe njerëz të fushave përkatëse, për të parë mundësitë e realizimit. Ai ka thënë se kjo duhej  bërë jo me paratë publike,  por me partneritet publiko-privat. ”Në këtë kontekst mund t’i jepet dikujt për një periudhë të shfrytëzimit dhe ata të investojnë, pasi nuk dihet nëse do të ketë apo jo profit ekonomik”, tha Haskuka.

Kreu prizrenas, kësisoj ka konkretizuar idenë e tij, të paraqitur dy javë më parë gjatë mbledhjes së Kuvendit Komunal, kur tha se është për ndërtimin e një teleferiku, por ndryshe nga ai që ka hartuar qeverisja e kaluar.

Pas marrjes së pushtetit, në zgjedhjet e fundit lokale, Haskuka ka anuluar projektin e teleferikut në kala, derisa është arsyetuar se ai bie ndesh me disa ligje.

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.