Hoti thotë se paratë e autostradës së Dukagjinit qeveria e re do t’i ridestinojë, Lekaj thotë se autostrada do të bëhet

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, për Ekonomia Online, ka thënë se paratë e dedikuara për këtë autostradë do të shkojnë në zgjerim të rrugëve dhe në projekte tjera, që sipas tij përfitojnë më shumë qytetarët e rrafshit të Dukagjinit.

Si projekt, përmend dyfishimin e tokave bujqësore me zgjerim të rrjetit të ujitjeve.

“Autostrada e Dukagjinit nuk duhet të ndërtohet mbi baza të argumenteve politike por mbi baza të studimeve të fizibilitetit, nga njerëz të fushës që arsyetojnë këtë investim. Studimet e fizibilitetit tregojnë që nuk ka intensitet të trafikut aq të madh sa ta arsyetojmë ndërtimin e një autostrade, por ndërtimin e një rruge me nga dy korsi që mundëson qasje të lehtë të qytetarëve edhe zhvillim për disa vite të një korridori të bizneseve nga Peja në Gjakovë, e deri në Prizren”, ka thënë Hoti.

“Mjetet e Autostradës së Dukagjinit do të shkojnë në projekte të tjera me të cilat do të përfitojnë qytetarët e krejt Rrafshit të Dukagjinit. Është projekti i ujitjes së tokave bujqësore të ‘KRU Radoniqit’, do të dyfishohen tokat me ujitje, është bërë studimi i parafizibilitetit sa ne kemi qenë në qeveri, tash duhet të shkojmë më tutje duke përgatitur studimin e detajuar për krejt Kosovën, përfshirë edhe Rrafshin e Dukagjinit në sistemin e ujitjes”.

Sipas deputetit të zgjedhur, Avdullah Hoti, me buxhetin e parashikuar për autostradën e Dukagjinit do të investohet në zgjerimin e rrugës me nga dy korsi, rruga Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë, e deri në Prizren me rrethrrotullim nëpër vendbanime kryesore dhe në rrugë tranzite për të evituar trafikun nëpër qytetet që kalon rruga.

Por, ndërtimi i kësaj autostrade, sipas ministrit në detyrë të Infrastrukturës, Pal Lekaj, do të bëhet.

“Sa i përket Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, mendoj se nuk kanë të drejtë ta thonë këtë sepse edhe Dukagjini është pjesë e Kosovës sepse janë mbi 620 mijë banorë që u nevojitet infrastrukturë dhe nuk u shërben individit por komunitetit, u shërben qytetarëve dhe ekonomisë. Prandaj është absurditet i llojit të vet kur e dëgjoj se unë nuk shikoj krahinë, por as regjione por kam punuar për qytetarët e të tjerët le të flasin sa të duan por autostrada e Dukagjinit do të bëhet”, ka thënë Lekaj.

Lekaj më tej sqaroi se autostrada e Dukagjinit do të bëhet me pagesë, por jo me tarifë të lartë.

“Ne jemi në fazën e fizibilitetit, pas kësaj faze ne do të shikojmë edhe gjendjen ekonomike të qytetarëve pastaj do të vendosim, por nuk do të jetë tarifë e lartë sepse në fokus e kemi qytetarin e Kosovës”, ka thënë Lekaj.