Incident i rrezikshëm mbi Shtime: Laser drejt aeroplanit në fluturim, piloti jep alarmin dhe koordinatat – Policia kërkon autorin
Incident i rrezikshëm mbi Shtime: Laser drejt aeroplanit në fluturim mbi Shtime, piloti jep alarmin dhe koordinatat – Policia kërkon autori
Një incident i pazakontë dhe potencialisht i rrezikshëm është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në Shtime, ku një person ende i paidentifikuar dyshohet se ka drejtuar laser në drejtim të një aeroplani që ndodhej në fluturim, raporton Sinjali.
Rasti ka ndodhur më 8 gusht, në zonën e rrugës “Komandant Kumanova”, afër “Liqenit të Mjellmave”.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rreth orës 23:30, Policia është njoftuar se nga kjo zonë ishte drejtuar laser në drejtim të aeroplanit, i cili identifikohet me shenjën GP-603.
Incidenti është raportuar nga vetë piloti, i cili ka dhënë edhe koordinatat e vendit prej nga dyshohej se ishte drejtuar laseri.
Menjëherë pas pranimit të informatës, një patrullë policore është nisur drejt lokacionit të raportuar dhe ka kontrolluar zonën.
Megjithatë, kur zyrtarët policorë kanë mbërritur atje, nuk kanë hasur në ndonjë person apo rrethanë të dyshimtë që mund të lidhej me incidentin.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, në konsultim me të cilin është iniciuar rasti dhe lënda u është kaluar njësive hetimore për procedura të mëtejshme.
Deri në këtë fazë, personi që dyshohet se e ka drejtuar laserin drejt aeroplanit mbetet i paidentifikuar.


