20-10-2020

Inspektorët konfiskuan grurë të krimbur në një market në Malishevë

Pas një shqetësimi publik të një qytetari, i cili në rrjetet sociale kishte publikuar një video, ku kishte blerë grurë të krimbur në marketin “Viva Fresh Store” në Malishevë, inspektorët komunalë të Malishevës, përmes një komunikate për media njoftojnë se sot në orët e para të mëngjesit, kanë inspektuar këtë market dhe kanë hasur në produktin grurë i qëruar “Duru”, i cili ishte i krimbur.

Sipas drejtorit të Drejtorisë së Inspektoratit, Dibran Kastrati, i cili kishte asistuar në kontrollin e bërë, është gjetur një sasi e grurit të krimbur, dhe sasia e gjetur është konfiskuar nga inspektorët komunal.

“Po ashtu ndaj marketit, është shqiptuar edhe një gjobë mandatore dhe janë marrë të gjitha masat konform ligjit”, thuhet në komunikatë.

Drejtori Kastrati, ka bërë të ditur se informacioni është marrë nga një qytetar dhe denoncimit publik në rrjetet sociale, që është bërë për këtë produkt.

Kastrati, u bën thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me inspektoratin, me qëllim të ruajtjes së shëndetit të qytetarëve.

Asnjë koment

Comments are closed.