Ish-ambasadorja Çitaku uron për hapjen e garës për kryetar të PDK-së
Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA dhe ish ministrja e Integrimeve në Qeverinë Thaçi Vlora Çitaku ka përshëndetur vendimin e PDK-së për të shkuar në zgjedhje për lidershipin e partisë.
“PDK ka bërë hapin e duhur sonte duke vendosur për të shkuar në zgjedhje për lidershipin e partisë. Lajm jashtëzakonisht i mirë”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Çitaku thotë se përtej ndryshimeve nominale, ndryshimet programore dhe strukturore janë po aq të rëndësishme në parti, përcjell Telegrafi.
“Në një demokraci të shëndoshë roli i opozitës është vital. Bravo ”, ka shkruar më tej Çitaku.
Ajo ka vlerësuar edhe rolin e kryetarit aktual, Enver Hoxhajt, pasi sipas saj “në rrethana krejt të jashtëzakonshme mori përgjegjësinë për ta udhëhequr PDK-në”.
Emri i Vlora Çitakut shpesh herë është lakuar si kandidate e mundshme për kryetare të PDK-së.