26-04-2024

Ish-futbollisti i dalluar i Lirisë, Përparim Thaçi, shpallet “Hero i Kosovës”

Sot janë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, ku është përkujtuar në 21 vjetorin e rënies, dëshmori i parë i rënë në luftën e UÇK-së në komunën e Prizrenit, Përparim Thaçi.

21 vite të plota u mbushen sot, nga rënia e dëshmorit të parë në komunën e Prizrenit, Përparim Thaçi, i cili me krenari dhe mall të pashuar po kujtohet nga nëna e tij, Setkia. Ajo edhe sot ndjen të njëjtën dhimbje në shpirt kur kishte marr lajmin për rënien heroike të Përparimit, por, ndjehet njëkohësisht edhe krenare që Kosovës i’a falin birin e saj të shtrenjtë.

Pjesë e këtyre homazheve përveç familjarëve , miq, bashkëveprimtar e bashkëluftëtarë të dëshmorit, ishin edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, Drita Millaku dhe Arbër Rexhaj, si drejtues, lojtarë të tanishëm dhe bashkëlojtarë të dikurshëm të dëshmorit nga KF “ Liria” dhe përfaqësues të grupit të tifozëve “ Arpagjikt”. Faik Berisha dhe Nagip Morina, miq e bashkëluftëtarë të dëshmorit, e kujtojnë me krenari për veprat jetësore deri në momentin e flijimit të tij për lirinë e Kosovës, ish futbollistin e shquar dhe trimin e pashoq, Përparim Thaçi.

Sekretari i degës së OVL të UÇK-së në Prizren, Isa Berisha, tha se përkujtimi për dëshmorët, siç ishte Përparimi me shokë, simbolizon një të kaluar të lavdishme për ata që u flijuan për Lirinë e Atdheut, ndërsa njoftoi se pasditen e së hënës, familjes do t’i dorëzohet dekorata ku dëshmori, Përparim Thaçi, shpallet “ Hero i Kosovës”, me urdhër të Presidentit, Hashim Thaçi.

Pas homazheve në Landovicë, është vizituar edhe vendi i rënies së Përparim Thaçit, ku para 21 vitesh ai u vra nga forcat serbe, ndërmjet fshatrave Bellacërkë e Xërxë, bashkë me dy shokët e luftës, dëshmorët: Feim Gashi dhe Sakip Bellaça, në kohën kur po shkonin në aksion.

Përparim Thaçi, ishte edhe një futbollist i dalluar duke bartur fanelën e klubit të Lirisë së Prizrenit./tvprizreni.info/

Asnjë koment

Comments are closed.