Ky është personi që kanosi ministrin Sveçla në Facebook, prangoset në Aeroportin e Prishtinës
Remzi Hajzeraj është personi i kërkuar nga organet e rendit që është arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, menjëherë pas hyrjes në Kosovë, pasi dyshohet se kishte kanosur përmes rrjeteve sociale ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për R. Hajzerajn, rreth 43-vjeçar u arrestua më 7 korrik, rreth orës 14:40, në bazë të një urdhër-kërkimi aktiv.

Sipas burimeve, ai kërkohej në kuadër të hetimeve për veprën penale “Kanosje”, lidhur me një rast të regjistruar më 9 nëntor 2025, ku dyshohet se përmes rrjetit social Facebook kishte kanosur ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla.
Pas arrestimit në aeroport, me vendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.


